Në një bisedë telefonike, presidenti Donald Trump i ka rikonfirmuar mbështetjen presidentit të vetëshpallur të Venezuelës, Huan Guaido. Por ndërkohë, autoritetet në Karakas kanë nisur një hetim ndaj kreut të opozitës, që mund të çojë në arrestimin e tij.
Presidenti Donald Trump ka zhvilluar të mërkurën një bisedë telefonike me presidentin e vetëshpallur të Venezuelës, Huan Guaido, duke i konfirmuar atij mbështetjen për vendosjen e demokracisë në vendin latin. Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se Trump dhe Guaido, i cili synon të zëvendësojë presidentin në fuqi Nikolas Maduro, ranë dakord për të mbajtur komunikime të rregullta me njëri-tjetrin.
Telefonata u krye pasi më herët gjatë së mërkurës, autoritetet në Karakas hapën një hetim që mund të çojë në arrestimin e liderit të opozitës. Gjykata e Lartë e Venezuelës i ndaloi Guaido të drejtën e udhëtimit dhe ngriu llogaritë e tij bankare, pavarësisht paralajmërimit të Uashingtonit se do të përballej me pasoja të rënda nëse do të ndërmerrte një hap të tillë. Gjithashtu, gjykata dha dritën e gjelbër për hetimin e Guaido nga prokuroria, një lëvizje kjo në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara për kompaninë venezueliane të naftës “PD VSA”.
Sanksionet, sipas qeverisë Maduro, e pengojnë firmën shtetërore të naftës që të nënshkruajë kontrata me klientë amerikano-veriorë. Por, me qëllim rrëzimin e Maduro nga pushteti, sanksionet janë masat më ndëshkuese të marra deri më sot ndaj liderit 56-vjeçar, nën qeverisjen e të cilit Venezuela ka përjetuar në pak vjet një faliment ekonomik dhe eksodin e miliona qytetarëve. /abcnews.al