“Në këto çaste, në mes të kaq shkrimtarëve, një njeri që s’është shkrimtar e ka vështirë të thotë një fjalë të vetën për një personalitet shkrimtari me një format të tillë siç është Fan Noli”. Kështu e nis shkrimin me titull “Fan Noli ynë”, kushtuar një prej personazheve më të njohur në kontributin e dhënë për mendimin shqip, Eqrem Çabej. Ky shkrim i cili po rivjen sot nga shqiponline, është botuar për herë të parë në “Nëntori”, Nr. 4, 1965, me rastin e ndarjes nga jeta të Fan Nolit.
Eqrem Çabej e quan Nolin një poet, duke shkruar se: “Në qoftë se fjala që vepra e një shkrimtari është pasqyra më e vërteta e forma mentis dhe e shpirtit të tij, ësht’ e drejtë, atëherë vjershat që shkroi ky poet dhe veprat e shqipëruara që na ka lënë përfaqësojnë në kuptimin e tyre simbolik që në krye e gjer në fund një konfesion të vetëm, credo-n e një njeriu e të një jete”.
Sipas prof. Çabejt “nuk është një gjë gand e e rastit që Fan Noli mori e përktheu një varg tragjedish nga të Shakespearit, në të cilat përpjekjet për liri sociale e politike dhe konfliktet e brendshme shpirtërore janë ndërthurur në një mënyrë si moskund në literaturën botërore; që ai shqipëroi disa drama të Ibsenit, Don Kishotin e Cervantesit, Rubajatet e Omar Khajamit, disa vjersha të Edgar Poes, Baudelairit e të tjera; dhe që në kohën e qëndrimit të tij si emigrant politik në Mauern afër Vjenës pas fjalëve të mikut të tij Norbert Joklit u muar për një kohë të gjatë me planin e përkthimit të Faustit të Goethes, duke studiuar dhe disa nga komentarët e kësaj vepre”.
”Nuk është gjithashtu një gjë gand e e rastit që ai shkroi Historinë e Skënderbeut dhe ato vjersha që shkroi. Kudo në këto vepra – në krijimet e veta e në përkthime – është përderdhur fryma komplekse e shkrimtarit. Ai i ka jetuar ato, ka jetuar ai vetë nëpër to, në figurat e heronjve. Kudo në këto na çfaqet, ku më çelët, ku më mbyllur, shpirti i autorit të tyre. Ai na del pa dashur si te Bruti, ashtu dhe te Hamleti, te Don Kishoti ashtu si te Omar Khajami, te profeti Moisi ashtu si te Galileasi, te Prometeu i mbërthyer e te Armiku i popullit, që në të vërtetë është miku i vërtetë i tij.
Revolucionarë e profetë, poetë e dashamirë aktivë të njerëzimit janë poaq mishërime të unë-s së tij, nëpër ta shprehet ai vetë. Në këtë vështrim dhe shqipërimet në një kuptim më të thellë janë krijime të tij”, shkruan Eqrem Çabej. Sipas tij, Fan Noli si për formimin e tij poetik si për shprehjen gjuhësore qëndron më vete në literaturën shqiptare.
“Ai nuk është poet i lartësivet eterike, po është shkrimtar i plisit të dheut. Është një Ante i literaturës sonë, që i merr fuqitë prej mëmës tokë. Ai ka të vetën diçka demonike, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijonjës, cilësia e mirëfilltë e furor poëticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë. Në fushën e kësaj literature ai nuk është një fill bar, që sot bleron e nesër thahet; nuk është as lule, që sot shkëlqen e nesër veshket. Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhënj: lis i vetëmuar, po me rrënjë ngulur mirë në të thellat e dheut. E këtillë mbetet edhe gjuha e tij. Në këtë nuk ndihet ëmbëlsia e flladit të verës sesa furia e murrërit të dimrit. Ajo nuk ka aromën e luleve, po ka erën e shëndoshë të dheut. Ka dhe diçka prej pikash të rënda e të idhëta, në të shprehet ana e rëndë e jetës shqiptare. Në këtë poezi shihet sa mund të jetë gjuha shqipe e ashpër e e vrazhdë, dhe e fortë në ashpërsinë e saj”, shkruan profesor Çabej.
“Me zhdukjen e këtij njeriu të rrallë një valë pikëllimi përshkoi an’e mb’anë botën shqiptare, kudo ku i thonë bukës bukë e ujit ujë. Po kjo nuk është një valë dëshpërimi. Fan Noli nuk është një madhësi efemere. Fjala e tij nuk është nga ato që i merr era. Në këtë Shqipëri, mëmë e lashtë burrash të shquar, të cilën ai e deshi me të gjitha fijet e zemrës, ai mbetet i gjallë ndër ne, si sot si në ditët që do të vijnë”, përfundon shkrimi i gjuhëtarit për kontributin e Nolit në poetikën shqipe.