Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka njoftuar se KBI-ja ia ka kthyer paratë qytetarit Sabri Beqiri, në emër të anëtarësisë, pasi që rasti është evidentuar si skamnor.
Sabri Beqirit nga Vushtrria i cili jeton në varfëri të skajshme, gjendje për të cilën ai edhe merr një ndihmë sociale. Dy ditë më parë, Beqirit i vdiq nëna, por përveç dhimbjes, ai u trondit kur Bashkësia Islame në Vushtrri e detyroi që t’i paguajë 470 euro, përndryshe sipas Sabriut, nëna do t’i mbetej pa varrosur pa ceremoni fetare.
E kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, thotë se refuzimi i kryerjes së shërbimeve të varrimit për qytetarët, aq më tepër për rastet në nevojë, është i papranueshëm dhe kundër praktikave të bashkësive fetare në Kosovë.
“Gjithashtu në KBI më njoftuan se paratë të cilat i ka paguar qytetari Sabri Beqiri, në emër të anëtarësisë, i janë kthyer pasi është evidentuar si rast skamnor”, ka shkruar Tahiri.
“Rasti i Sabri Beqirit dhe afër 100 familje tjera në Vushtrri ndihmohen rregullisht nga KBI-ja me miell dhe pako tjera ushqimore në kuadër të programeve humanitare. Si duket deri te mosmarrëveshja për pagesën prej 417€ ka ardhur për shkak të moskomunikimit të duhur qytetar – KBI”, ka njoftuar ai mes tjerash.
Ai ka njoftuar se qytetarët e Vushtrrisë, që nga 1 janari i vitit të kaluar nuk paguajnë për shpenzime të varrimit, derisa këto shpenzime i mbulon Komuna.
Ky është statusi i plotë i kryetari të Komunës së Vushtrrisë:
Qytetarët e Komunës së Vushtrrisë që nga 1 janari 2018, nuk paguajnë për shpenzime të varrimit. Këto shpenzime i mbulon Komuna.
Lidhur me rastin e qytetarit Sabri Beqiri ku pretendohet se i njëjti ka paguar 417 € për varrimin e nënës, sot kam takuar udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri ku më është sqaruar se komuna ka kryer të gjitha obligimet e parapara.
Gjithashtu në KBI më njoftuan se paratë të cilat i ka paguar qytetari Sabri Beqiri, në emër të anëtarësisë, i janë kthyer pasi është evidentuar si rast skamnor.
Refuzimi i kryerjes së shërbimeve të varrimit për qytetarët, aq më tepër rastet në nevojë është i pa pranueshëm dhe kundër praktikave të bashkësive fetare në Kosovë.
Këto të fundit janë shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare dhe solidaritetit në vend dhe si të tilla duhet të dëshmohen e të çmohen vazhdimisht.
Rasti i Sabri Beqiri dhe afër 100 familje tjera në Vushtrri ndihmohen rregullisht nga KBI me miell dhe pako tjera ushqimore në kuadër të programeve humanitare.
Si duket deri te mos marrëveshja për pagesën prej 417€ ka ardhur për shkak të moskomunikimit të duhur qytetar-KBI.
Komuna e Vushtrrisë gjithnjë do të mbetet në shërbim të qytetarëve dhe të ofroj përkrahje pa rezervë brenda mundësive që ka.