Parlamenti shqiptar është kritikuar vazhdimisht për gjuhën e përdorur, e cila shpeshherë nuk i përngjan asaj të një institucioni që duhet të ishte tempull demokracie, por asaj të një “gheto-je” bandash, ku sheh veç banditizëm, sharje dhe ofendime personale.
Ashtu siçc është bërë “traditë” tashmë kur tensioni mes forcave politike është në kulmin e vetë, Parlamenti kthehet në arenë harbutërire, ku përveç burrave degjeneron edhe fjalori i femrave deputete.
Një skenë të tillë na e panë sytë dhe dëgjuan veshët dy të enjte rresht në Kuvend, ku të nxitur nga një rast përdhunimi të një 14-vjeçare në Kavajë, përfaqësues të PD, PS dhe LSI e lan mënjanë çdo normë etike dhe rregullore, duke sharë “me libër shtëpie” njëri-tjetrin.
Më i ashpri nga debatet e regjistruar ishte ai ndërmjet dy femrave deputete, Elisa Spiropalit nga PS dhe Silva Cakës nga LSI, ku u përdorën edhe fjalë si “llaxore”.
Kur kanë kaluar dy ditë nga ky debat, akademiku Artan Fuga ka reaguar me një postim në Facebook për të treguar se në ç’nivel karagjozllëku dhe komedie të pështirë ka mbërritur politika në vendin tonë.
Duke analizuar fjalorin që ka dominuar në Kuvend ai shprehet se është shqetësuese se si po i edukojmë fëmijët tanë, që dëgjojnë këto fjalë të ndyra nga politikanët më të rëndësishëm të vendit, mes tyre dhe Edi Rama me Sali Berishën. Fuga thekson se gjuha e Parlamentit është një fyerje për shqiptarët.
SHKRIMI I PLOTË:
Llaxore dhe baxhella
——————————–
Ik m’i baxhelle! Shko moj qelbësirë! Kujt i thua baxhellë, ti je llazore! Jo po si ty, o qelbësirë! Hajdute e poshtër, ja se çfarë je! Ik se të njoh mirë kush je, edhe njëherë po të them je qelbësirë! Kurvë ! Mos guxo të më thuash mua qelbësirë! Pise! E korruptuar! Këto dhe ata që janë me këta shprehin vullnetin e popullit!
Çfarë degjenerimi moral, mendor dhe njerëzor!!!
Këto janë gratë të zgjedhurat tona!
Imagjinoni burrat!
Këto na tregojnë si duhet të funksionojë universiteti!
Këto bëjnë ligjet për shkollat!
Këto janë gra të elitave tona politike!
Këtyre u vjen për të qeshur dhe për të qarë nga protesta universitare!
Këto na emërojnë ambasadorët, na përfaqësojnë me jashtë, zgjedhin gjykatësa, prokurorë, presidenta!
Këto shkojnë nëpër botë për të dhënë imazhin e Shqipërisë!
Kur fjalori i tyre është :
baxhellë
e përdalur,
pise
llazore
qelbësirë.
Më hangsh këtë e më hangësh këtë!
Më kujtohet para disa dekadash Liza e Qymyrit dhe e adhuroj në heshtje duke e parë me sytë e mendjes sesi tërhiqte karrocën me qymyr!
Monument Lizës të Qymyrit që jetonte në vuajtje me djersën e ballit të vet!
Dhe imagjinoni që këto fjalë të ndyra i thonë para kamerave të televizorit, mendoni pak se çfarë fjalori kanë në tru kur janë midis tyre, çfarë bisedojnë midis tyre nëpër kafene, çfarë thonë në momente intime, në biseda me njerëz të besuar.
Këto e këta me pallto të shtrenjta sa një apartament dy dhoma e një guzhinë,
që vijnë me vetura që i përdorin ndofta nuset e mbretëreshës të Anglisë,
që hedhin parfume si të Bebe Rexhës,
Çfarë karagjozlliku, çfarë komedie, çfarë fyerje për shqiptarët!
Imagjinoni që e dinë që i shohin fëmijët e tyre, djemtë dhe vajzat e tyre, mendoni se në çfarë mjedisi edukativ jetojnë përderisa nuk pyesin as për këtë fakt!