Ballina Aktualitet Lajme SHKOLLA NË REÇICË: Komuna pret Qeverinë, Qeveria komisionin!

SHKOLLA NË REÇICË: Komuna pret Qeverinë, Qeveria komisionin!

Në Komunën e Tetovës nuk kanë informacione kthyese se si do të bëhet financimi për këtë shkollë, por vetëm topin e kanë hedhur tek Qeveria. Një javë më parë, ministri Ademi, i pyetur për ndërtimin e shkollës së Reçicës, deklaroi r se në Qeveri është formuar një Komision që shqyrton kërkesat e komunave për ndërtimin e shkollave. Nga ky Komision topin e hedhin në MASH

Urim HASIPI

Tetovë, 18 mars – Komuna e Tetovës pret Qeverinë që të ndërtojë shkollën në Reçicë të Vogël. Nga Komuna i kanë thënë gazetës Koha se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket dokumentacionit teknik dhe lejen për ndërtim, ndërsa presin që investimin ta bëjë pushteti qendror. Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, thotë se tërë dokumentacioni është dërguar në Qeveri dhe presin që kjo e fundit të gjejë mënyrën dhe formën e realizimit, shkruan gazeta KOHA.

“Sa i përket kompetencave, të cilat janë në sferën e arsimit , investimet e mëdha kapitale janë në duar të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo që në si komunë e kemi obligim është që të jetë i përgatitur projekti për ndërtim, të jetë dhënë leja për ndërtim dhe të jetë i paraparë në Planin Urbanistik të qytetit të Tetovës. Që të gjitha këto janë të kryera nga ana e Komunës së Tetovës, është dhënë edhe leja për ndërtim edhe projekti, ndërsa janë dërguar në Qeveri. Në lidhje me këtë, së fundmi edhe kryeministri pati deklaratë të veten, dhe unë nuk kam se çfarë të shtoj jashtë deklaratës së kryeministrit të shtetit. Jemi në pritje që ajo që u tha në atë deklaratë të kryeministrit, sa më shpejtë të realizohet”, deklaroi Qazimi.

Megjithatë, në Komunën e Tetovës nuk kanë informacione kthyese se si do të bëhet financimi i ndërtimit të kësaj shkolle, të premtuar vite me radhë. “Sa i përket mjeteve financiare se si ato do të sigurohen, është çështje që Qeveria vendosë se a do të jenë nga buxheti i shtetit, apo do të sigurohen nga diku tjetër. Këtu nuk mund të them asgjë tjetër. E jona është që sa më shpejtë të kërkojmë dhe jemi në pritje që projekti i shkollës në Reçicë të Vogël sa më shpejtë të jetësohet dhe ajo që u tha nga ana e kryeministrit të shtetit, të realizohet sa më shpejtë”, deklaroi Qazimi.

Një javë më parë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i pyetur për ndërtimin e shkollës së Reçicës, deklaroi se në Qeveri është formuar një Komision që shqyrton kërkesat e komunave për ndërtimin e shkollave.

“Disa herë kemi thënë se në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, është bërë aplikimi në Qeveri, duke gjetur një modalitet më të shpejtë të financimit për ndërtimin e asaj shkolle. Presim që komisioni në Qeveri që i shqyrton aplikimet, të del me një rezultat konkret që sa më shpejtë të fillojë të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël. Bëhet fjalë për një objekt të nevojshëm shkollor, të domosdoshëm dhe që është premtuar shumë herë”, deklaroi javën e kaluar ministri Ademi. Nga Qeveria në lidhje me këtë komision nuk dhanë hollësi, por sërish na udhëzuan për informata në Ministrinë e Arsimit.

Në ndërkohë, në vendin ku është përcaktuar lokacioni për shkollën, deri para dy jave ka qenë një gërmadhë me shkurre, me mbeturina, dhe në gjendje të mjerueshme. Kohëve të fundit ky vend është rrafshuar, por ende nuk dihet nëse ka të bëjë me fillimin e punëve. Rregullimin sipërfaqësor e ka kryer Ndërmarrja Publike Komunale, ndërsa nga komuna nuk kanë informata nëse ka të bëjë diçka me parapërgatitjet për fillimin e punëve për shkollën e shumëpritur. “Vazhdojnë punimet për pastrimin, rrafshimin dhe vendosjen e tokës pjellore te tregu i vjetër i kafshëve në Reçicë të Vogël”, njoftuan shkurt nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë. (koha.mk)