Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i tha ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se dërgimi i personelit ushtarak të Moskës në Venezuelë po i rrit tensionet atje.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Robert Palladino, tha se Pompeo i telefonoi Lavrovit të hënën dhe i tha se “Shtetet e Bashkuara dhe vendet e rajonit nuk do të qëndrojnë në heshtje, derisa Rusia i përkeqëson tensionet në Venezuelë”.
Thirrja e Pompeos u bë pasi një zyrtar i Venezuelës tha se një avion rus ka arritur në Karakas në fundjavë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ushtarak.
Raportet se dy avionë të forcës ajrore ruse kanë arritur atje, nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Rusia e mbështet presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.
“Përfshirja e vazhdueshme e personelit ushtarak rus për të mbështetur regjimin e paligjshëm të Nicolas Maduros në Venezuelë, rrezikon zgjatjen e vuajtjeve të popullit të Venezuelës, i cili e mbështet presidentin e përkohshëm, Juan Guaido”, tha Pompeo.
Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera mbështesin udhëheqësin e opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili thotë se rizgjedhja e Maduros, vitin e kaluar, ka qenë e manipuluar./rel