Ballina Bota Britania i blen diplomatit të saj apartament luksoz 16 milionë dollarësh në...

Britania i blen diplomatit të saj apartament luksoz 16 milionë dollarësh në Amerikë

Qeveria britanike ka blerë një apartament luksoz në Nju-Jork, që posedon 7 dhoma të gjumit dhe kushton 15.9 milionë dollarë. Kjo do shfrytëzohet nga një shërbyes i lartë civil, i ngarkuar me punën e lidhjes së marrëveshjeve pas Brexitit, raporton The Guardian.

Sekretari i Jashtëm, Jeremy Hunt, kreu blerjen e apartamentit 574 metra katrorësh si rezidencën zyrtare për Anthony Phillipson, komisionarin për tregti në Amerikën Veriore dhe konsullin kryesor të Britanisë në Nju-Jork.

Apartamenti okupon gjithë katin e 38’të të United Nations Plaza, një pallat luksoz 42-katësh afër zyrave kryesore të Kombeve të Bashkuara në Manhatan.

Në kullën 167 metra të gjatë, të dizajnuar nga arkitekti i njohur britanik Norman Foster, kishte banuar gjithashtu Nikki Haley, kur ajo shërbeu si ambasadorja e SHBA’së në Kombet e Bashkuara deri në dhjetor të vitit 2018.

Apartamenti, që quhet Penthouse 38, posedon një zonë të kompletuar me një dhomë të ngrënies, dhomë të ndejës dhe librari, përcjell Gazeta Express.

Blerja është regjistruar me 15 mars, dhe një zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe tha: “Ne kemi siguruar marrëveshjen më të mirë të mundshme dhe paratë që kemi shpenzuar në këtë pronë do të tregohen të vlefshme, pasi që do të promovojë Britaninë e Madhe në kapitalin komercial të partnerit tonë më të madh të eksportit.”

Apartamenti u ble nga zhvilluesit e kullës, familja super e pasur Zeckendorf dhe Eyal Ofer, që janë magnatë izraelitë të pasurive të patundshme në Monako, me një pasuri personale prej 10.5 miliard dollarë.

Apartamenti përmban pesë dhoma gjumi të mëdha, si dhe dy dhoma të tjera etiketuar “dhoma gjumi stafi”.

Ministria e Jashtme nuk iu përgjigj kërkesave për komente kur u pyet nëse Phillipson synon të punësojë stafin e familjes.

Duke jetuar si fqinji i parë me selinë e OKB-së, Phillipson do të jetë në pozitë të favorshme për t’i pritur në darkë udhëheqës nga e gjithë bota, për t’i nxitur të nënshkruajnë marrëveshje të reja tregtare me Britaninë në rast të largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. /Express/