Ballina Aktualitet Lajme Kryeministri grek Tsipras arriti për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

Kryeministri grek Tsipras arriti për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

Alexis Tsipras filloi vizitën e parë historike në Maqedoninë e Veriut, duke u bërë kryeministri i parë grek që viziton vendin
Kryeministri i Republikës së Greqisë, Alexis Tsipras, arriti në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni që priti kryeministrin grek në Aeroportin Ndërkombëtar-Shkup, kryesohej nga zv/kryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska dhe nga ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Gjatë vizitës së parë historike të një kryeministri të Republikës së Greqisë, Tsipras do të pritet me ceremoni zyrtare në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nga homologu i tij, Zoran Zaev, pas çka do të mbahet mbledhje e dy delegacioneve qeveritare të udhëhequra nga kryeministrat.

https://youtu.be/4InRuVEFWRI

Pas përfundimit të mbledhjes, është paraparë të mbahet një konferencë e përbashkët për media nga kryeministrat Zaev dhe Tsipras.

Sipas agjendës, pas takimit me Zaevin, kryeministri grek do të takojë edhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin.

Aktiviteti i fundit në kuadër të vizitës së kryeministrit grek është forumi i biznesit të afaristëve nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Tsipras në vizitën e tij është shoqëruar nga rreth 70 afaristë grekë.

Rikujtojmë se në muajin qershor të vitit të kaluar dy vendet nënshkruan Marrëveshjen e Prespës me të cilën mori fund kontesti shumëvjeçar për emrin.

Siç ishte paraparë në marrëveshje, Maqedonia ndryshoi emrin kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa më 12 shkurt të këtij muaji Qeveria njoftoi se Marrëveshja e Prespës ka hyrë në fuqi.