Si forma më e fundit e mbështetjes për presidentin Nicolas Maduro, Rusia ka hapur një qendër trajnimi në Venezuelë për të ndihmuar pilotët vendas në drejtimin e helikopterëve të prodhuar në Rusi. Lajmi u njoftua sot nga korporata shtetërore ruse “Rostec”.
“Rostec” shtoi se qendra në fjalë u inaugurua ditën e enjte, në të njëjtën kohë kur Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Moskën dhe vendet e tjera që mbështesin Maduron, të mos dërgojnë njësi dhe paisje ushtarake, pasi veprime të tilla shikohen si një “kërcënim i drejtpërdrejtë” për sigurinë e rajonit.
Uashingtoni, që mbështet udhëheqësin e opozitës venezueliane, Juan Guaido, e bëri paralajmërimin pasi dy avionë të forcave ajrore ruse u ulën në një aeroport pranë kryeqytetit venezuelian Karakas. Në bord ishte një kontigjent me mbi 100 ushtarakë rusë, të cilët Kremlini i përshkroi si specialistë ushtarakë.
Korporata “Rostec” tha se qendra e re e trajnimit, vendndodhja e të cilës nuk është bërë e ditur, u ndërtua nëpërmjet ndihmës së specialistëve rusë dhe se synon trajnimin e pilotëve venezuelianë për drejtimin e helikopterëve luftarakë Mi-35M, si dhe të helikopterëve të tjerë të transportit ushtarak, të prodhuar në Rusi.
Qendra e trajnimit u krijua bazuar mbi një kontratë me kompaninë shtetërore venezueliane për prodhimin e armëve, CAVIM. Korporata shtetërore ruse “Rostec” shtoi se dëshiron thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak dhe teknik me Ministrinë e Mbrojtjes së Venezuelës.
Rusia, e cila ka furnizuar Venezuelën edhe me avionë luftarakë, tanke dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, ka hedhur poshtë kritikat e Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin ushtarak me Karakasin, duke thënë se nuk po ndërhyn në punët e brendshme të këtij vendi të Amerikës Latine dhe se nuk përbën kërcënim për stabilitetin rajonal.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se “Rusia duhet të largohet nga Venezuela” dhe se “të gjitha opsionet” janë të hapura për ta shtrënguar Rusinë të ulë ndihmën ndaj Maduros, duke rritur kështu gjasat për sanksione të mëtejshme amerikane ndaj Moskës. (Tema)