Ballina Shëndeti Këshilla Shkencëtarët: Ja si të fshini nga mendja kujtimet e këqija

Shkencëtarët: Ja si të fshini nga mendja kujtimet e këqija

Nga Peter Dockrill

Kur na ndodhin gjëra të këqija, ne nuk duam t’i kujtojmë ato. Përpiqemi të mos i lëmë të na përndjekin, t’i injorojmë. Por studiuesit thonë tashmë se ndoshta duhet të bëjmë të kundërtën. Një studim i ri i udhëhequr nga shkencëtarët në Univeritetin e Teksasit në SHBA, sugjeron se veprimi i harresës së qëllimshme, është i lidhur me rritjen e angazhimit cerebral me informacionin e padëshiruar në fjalë.

Me fjalë të tjera, për të harruar diçka, ju duhet të përqendroheni pikërisht tek ajo që doni të fshini nga memoria juaj. “Niveli i moderuar i aktivitetit të trurit, është jetik për këtë mekanizëm të harresës”- shpjegon psikologia Trejsi Uang nga Universiteti i Teksasit.

“Një aktivitet më i fortë, dhe kjo do të forcojë kujtesën, shumë më i dobët, dhe ju nuk do jeni në gjendje ta modifikoni atë”- thekson ajo. Përpjekja për të harruar në mënyrë aktive kujtimet e padëshiruara, ndihmon jo thjesht në parandalimin e ngarkimit të trurit tuaj.

Ajo gjithashtu u lejon njerëzve të distancohen nga përvojat e dhimbshme, dhe emocionet që ata nuk duan t’i kujtojnë më, gjë që është pjesë e arsyes, se pse është një fushë me interes të madh për neuroshkencëtarët. “Ne mund të dëshirojmë të fshijmë kujtimet që na shkaktojnë reagime negative, siç janë kujtimet traumatike, në mënyrë që të mund t’i përgjigjemi përvojave të reja, në një mënyrë më adaptuese”- thotë një nga studiuesit, Xherrod Ljuis Pikok.

“Dekada hulumtimesh kanë treguar, që ne njerezit kemi aftësinë për të harruar diçka në mënyrë të vullnetshme, por se si truri ynë e bën këtë, kjo mbetet ende të zbulohet”- nënvizon ai. Shumë studime paraprake mbi harresën e qëllimshme, janë përqendruar në aktivitetin e trurit në korteksin paraballor, dhe në qendrën e kujtesës së trurit, hipokampusin.

Në studimin e ri, hulumtuesit monitoruan një pjesë të ndryshme të trurit, të quajtur korteksi temporal ventral, i cili na ndihmon të përpunojmë dhe kategorizojmë stimujt vizualë.

Në një eksperiment me 24 të rritur të rinj, pjesëmarrësve u treguan fotografi të skenave dhe fytyrave të njerëzve, dhe u udhëzuan që ata të mbanin mend, ose harronin secilin prej imazheve.

Gjatë eksperimentit, aktiviteteti i trurit të secilit prej pjesëmarrësve, monitorohej nga imazhet funksionale të rezonancës magnetike (fMRI).

Kur studuesit shqyrtuan aktivitetin në korteksin ventral temporal, ata zbuluan se akti i harresës, përdor më shumë fuqi të trurit sesa mendohet më herët. “Imazhet që pasonin udhëzimin për të harruar, shkaktuan nivele më të larta të përpunimit në korteksin temporal ventral, krahasuar me imazhet pas udhëzimit për të mbajtur mend”- shkruajnë autorët e studimit në artikullin e tyre.

“Kjo rritje në përpunimin e informacioni, çonte në fund në më shumë harresë ngjarjesh, veçanërisht për temat që treguan një aktivizim të moderuar (ose të dobët ose të fortë)”.

Natyrisht, harresa e imazheve të veçanta, e kërkuar në një eksperiment në një laborator, është shumë e ndryshme nga distancimi nga kujtimet e dhimbshme ose traumatike të ngjarjeve të përjetuara në botën reale. Por mekanizmat që vihen në punë mund të jenë të njëjta, thonë studiuesit, dhe zbulimi se si t’i aktivizoni ato, mund të jetë një përfitim i madh për njerëzit në mbarë botën, që kanë nevojë t’i harrojnë gjërat negative, por nuk e dinë se si.

Sidomos teksa ky zbulim sfidon në veçanti intuitën tonë natyrore për t’i shtypur gjërat; në vend të kësaj, ne duhet t’i kushtojmë më tepër dhe jo më pak vëmendje informacionit të padëshiruar, në mënyrë që ta harrojmë atë.

“Më e rëndësishmja, është qëllimi për të harruar ai që rrit aktivizimin e kujtesës”- thotë Uang. “Kur ky aktivizim prek pikat e ndjeshme të nivelit të moderuar celebral, atëherë kjo çon në zhdukjen e mëvonshme të asaj përvoje”- përfundon ajo. / bota.al