Ballina Shëndeti Psikologji Të sëmurë nga ambiciet

Të sëmurë nga ambiciet

Çfarë e çon njeriun drejt suksesit? Gjenetika e ka zbuluar këtë tani. Dhe ajo dikton rregullat për të pushtuar botën

nga Paola Emilia Cicerone

Ambicia ime e vetme, shkruante shkrimtari Charles Bukoësky, është të jem askushi. Një pikëpamje interesante, por jo e ndarë nga një shoqëri që shpërblen, të paktën përkohësisht, suksesin dhe aftësinë për të arritur në krye, pavarësisht nga kostoja. Dhe presioni është i tillë që të bëjë të lindë një shkencë e ambicies.

Për të përcaktuar se çfarë, për humoristin amerikan Jerome K. Jerome, ishte thjesht “vaniteti i ngritur në nivel më të lartë”.

Antropologët bien dakord: ambicia është një tipar evolucionar i specieve tona dhe, siç është thënë nga Eduard Loue Soka, në çdo komunitet ka njerëz që e ndjekin atë në mënyrë agresive dhe të tjerë jo.

Çfarë na bën t’i përkasim një grupi tjetër njerëzor? A është njeriu ambicioz i lindur? A ka një gjen ambicie, a jemi programuar për të sfiduar botën apo është një kënaqësi që ne zbulojmë përgjatë rrugës? Një studim amerikan i kryer në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis, Misuri, tregon se studentët më të talentuar që këmbëngulin, d.m.th kanë kapacitetin, lidhur ngushtë me ambicien, angazhohen për arritjen e një qëllimi, kanë aktivizimin shumë të fortë të një zone të caktuar të trurit, e quajtur ‘zona lombare’, e lidhur ngushtë me përpunimin e emocioneve. Studiuesit kanë regjistruar një grup studentësh dhe kanë dërguar një pyetësor të caktuar posaçërisht për të mos aktivizuar inteligjencën, kulturën ose aftësi të tjera, por vetëm në nivelin e përcaktimit të subjekteve. Më pas ata fotografuan trurin e studentëve në veprim dhe panë, në të vërtetë, se aktivizohej një zonë specifike e trurit. “Nga studimet e binjakëve të bëra në SHBA, por edhe në Australi, ne e dimë se ambicia është e trashëguar në 50 për qind”, thotë një nga udhëheqësit e studimit, psikiatri Robert Cloninger, autor i “Feeling Good”. “E pra, gjysma e ambicies së një personi vjen nga përbërjen gjenetike, dhe pjesa e mbetur nga përvojat e tij jetësore”.

Por Këmbëngulja nuk është e gjitha: “Ambicia mund të ndahet në të paktën tre elemente”, thotë Dean Simonton, një psikolog në Universitetin e Kalifornisë, “Përveç aftësisë për të qëndruar ndaj pengesave dhe t’i rezistojmë zhgënjimit, është dëshira për të arritur një status më të mirë socio-ekonomik sesa ai i tanishëm, dhe një nivel i lartë i energjisë që synon arritjen e këtij qëllimi”.

Shtoi kësaj edhe një shkallë të caktuar të vetë-besimit, edhe pse kjo nuk është absolutisht e nevojshme, dhe as nuk është inteligjenca: “Nëse qëllimi nuk është për të fituar një çmim Nobel,” bën shaka Simonton “inteligjenca mund të ndihmojë për të arritur ambicie të caktuara, por nuk është një komponent thelbësor i ambicies, ndonjëherë është thjesht një çështje për të gjetur stimulin e duhur”. Kështu mund të ndodhë që dy individë ambiciozë si Steve Jobs dhe Steve Vozniak, themeluesit e Apple, kanë marrë rrugë të ndryshme, edhe pse kanë filluar nga e njëjta pikë. Vetëm gjenetika?

Reagon Gian Vittorio Caprara, Profesor i Psikologjisë së Personalitetit, Universiteti i Romës “La Sapienza”: “Me origjinë gjenetike është energjia, makina e suksesit, në afat të shkurtër, si lëndë e parë që ne kemi nevojë për të përcaktuar qëllimet.”

“Ambicia ka një rol të caktuar në evolucion, sepse kontribuon në mbijetesën e më të fortëve, në përhapjen e gjeneve më efikase”, shpjegon Simonton. Edhe në mesin e kafshëve ekzistojnë në fakt liderët e lindur: në mes të ujqërve, meshkujt alfa mund të njihen që nga lindja për kureshtjen me të cilën ata eksplorojnë mjedisin dhe luftojnë për ushqimin dhe vëmendjen e nënës, dhe mbeten kështu deri në 10-11 vjet, kur vdesin duke lënë prapa një pasardhës të madh, ndërsa ndihmesat ose vartësit riprodhohen më rrallë dhe zakonisht nuk arrijnë moshën katërvjeçare.

Në të njëjtën mënyrë, në familjet njerëzore ka fitues dhe humbës, dhe njerëz që duken të paarritshëm nga zjarri i ambicieve. Çfarë përcakton fatin e tyre? Dhe deri në ç’masë është e mundur të ndërtohet një fitues? Psikologët besojnë se mjedisi ideal është ai që përcakton objektiva ambiciozë por realistë, duke theksuar sukseset, pa pasur humbje dramatike: “Njerëzit mësojnë që të përpiqen për të arritur një qëllim, nëse ata janë të bindur se përpjekjet e tyre do të shpërblehen: mund të ndihmojë të vendosin synime që nuk janë shumë të vështira për të arritur, për të fituar vetëbesim”, vëren Cloninger.
“Në një kulturë varësie ambicia mund të vlerësohet negativisht, ndërsa, në të kundërt, një tepricë aventurizmi mund të çojë në lartësimin në mënyrë jokritike”.

Të rriturit në një familje të pasur mund të trashëgojnë mjete të dobishme, ose një qëndrim në plogështi aristokratike, ndërsa origjina modeste mund të jetë shtysë për të bërë më mirë apo për të krijuar një ndjenjë të pafuqisë inerte. Sipas antropologëve, njerëzit më ambiciozë i përkasin klasës së mesme, familjet që kanë arritur tashmë disa qëllime, por ata nuk janë të sigurt për të qenë në gjendje që ta ruajnë pushtetin.

Dhe këtu fillon problemi: çfarë ndodh kur ke ambicie, shpesh nën shtysën e presionit social, dhe ajo kthehet në zhgënjim? “Një shoqëri, në të cilën shumica e vajzave duan çarçafë e veshje mëndafshi, dhe pa një arsye të vlefshme, në mënyrë të pashmangshme do të gjenerojë zhgënjim”, thotë Caprara.

“Dështimi dhe zhgënjimi lindin kur ambicia është e pabalancuar në krahasim me potencialin. Për këtë mund të jetë e dobishme që të dekurajohen ambiciet e gabuara, ose të paktën për të zgjeruar gamën e opsioneve të mundshme, në mënyrë që sfidat e paraqitura nga mjedisi të mos kthehen në kurthe”. / MeB