Dy ditë pas tragjedisë së Llasakarcës në të cilën jetën e humbën 16 njerëz, kompania e transportit me autobus “Durmo turs” ka fituar tender për transport të nxënësve. Kontrata është nënshkruar më 15 shkurt, ndërsa të hënën është publikuar në ueb faqen e Agjencisë për Furnizime publike, informon gazeta KOHA.
Tenderi është shpallur nga Shkolla e Mesme “Negotinë” nga fshati Negotinë – Komuna Vrapçishtë, ndërsa “Durmo turs” është përzgjedhur në konkurencë edhe të një kompanie tjetër. Sipas marrëveshjes “Durmo turs” duke filluar nga 15 shkurti deri në fund të vitit do të bëjë transportin e nxënësve të gjashtë fshatarave nga shtëpia për në shkollë dhe anasjelltas. Kriteriumi i vetëm për të fituar tenderin ka qenë oferta më e ulët.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Furnizime Publike “Durmo turs” ka ofruar çmim prej 700 denarë për nxënës, ndërsa kompania konkurente 3300 denarë. Vlera e përgjithshëme e tenderit me TVSH është 27.600 euro, njofton gazeta KOHA.
Drejtori i i shkollës së Negotinës, nuk ka dhënë sqarim për këtë tender, ndërsa përgjiegjësit e shkollës kanë thënë për IRL-Macedonia, se drejtori është në pushim vjetor.
Pas hetimit të fatkeqësisë janë arestuar pronari i kompanisë, vozitësi i autobusit dhe pesë persona tjerë, midis tyre edhe një person nga sektori juridik i cili ka dhënë dokumente se autobusi është në rregull.
Hetimi ka treguar se frenat e autobusit nuk kanë qenë në rregull edhe pse kjo ka qenë e konstatuar gjatë kontrollit teknik. Në qershor të vitit 2018 i është dhënë leje për punë. I njëjti edhe përkundër parregullësive teknike, ka kaluar kontrollin teknik edhe në dhjetor të vitit 2018. Po ashtu është konstatuar se është manipuluar tahografin ku nuk është regjistruar dhe treguar shpejtësia reale e vozitjes.
Defektet e frenave dhe shpejtësia e madhe janë arsyet e aksidentit. Gjyqi u shqiptojë paraburgim pronarit, vozitësit të autobusit dhe udhëheqësit të kompanisë.