Ballina Bota Tragjedi në pyllin e Fraktosit: Ariu sulmon dy alpinistë, humb jetën njëri...

Tragjedi në pyllin e Fraktosit: Ariu sulmon dy alpinistë, humb jetën njëri prej tyre

Një ngjarje tragjike ka tronditur Greqinë veriore, ku një alpinist ka humbur jetën pas një sulmi nga një ari në pyllin e virgjër të Fraktosit, pranë qytetit Drama. Viktima dhe shoku i tij ishin duke eksploruar zonën malore kur u përballën me kafshën e egër, ndërsa ecnin drejt një përrua, ku ndodhej rrënoja e një avioni luftarak i rrëzuar 77 vite më parë.

Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, kur dy alpinistët, të shoqëruar nga qeni i tyre, hasën papritur një ari të madh mes pemëve të dendura. Përpjekja e tyre për të trembur kafshën duke përdorur sprej piperi nuk rezultoi e mjaftueshme, pasi ariu sulmoi një nga alpinistët dhe e hodhi nga një shkëmb në një greminë rreth 800 metra të thellë.

Alpinisti tjetër, Dhimitris Kioroglou, shpëtoi duke u ngjitur në një pemë dhe më pas njoftoi urgjentisht shërbimet e zjarrfikësve. Pas orësh të tëra operacioni dhe falë sinjalit të telefonit celular, ekipet e shpëtimit arritën të gjejnë vendndodhjen e trupit të viktimës, i cili ishte tashmë pa ndjenja.

“Qeni im e pengoi ariun dhe më dha kohë të përdorja sprejin. Por më pas u kthye dhe shkoi drejt Christos, e shtyu dhe ai ra në greminë,” tregoi i mbijetuari në mediat greke, teksa përshkroi me tronditje momentet e tmerrit. Ai tha se ariu ishte shumë i madh dhe sulmoi me egërsi dhe shpejtësi të frikshme.

Trupi i viktimës u transportua me helikopter fillimisht në aeroportin e Krisoupolis dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës, ku u konstatua vdekja e tij. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik grek dhe ka rikthyer debatin për sigurinë në zonat e egra dhe marrëdhënien mes njeriut dhe faunës së egër.

Tetova News në YouTube:

Organizatat ambientaliste kanë bërë thirrje për kujdes dhe masa të shtuara sigurie, duke theksuar nevojën për balancë mes mbrojtjes së natyrës dhe jetës njerëzore.