Një aksident tragjik iu ka marrë jetën dy emigrantëve shqiptarë, në autostradën A14, në dalje mes Bitonto dhe Molfetta.
Krahas tyre edhe një person tjetër mbeti i plagosur rëndë, si pasojë e përplasjes së dy makinave, të cilat ishin drejtuar për në Bari.
Viktimat janë dy shqiptarë, një burrë 56 vjeç dhe një e moshuar 82-vjeçare me banim në Emilia Romagna, të cilët udhëtonin me një ‘Renault Clio’.
Në rrethana që mbeten për tu sqaruar, makina e viktimave u përplas me një ‘Ford Kuga’ në të cilën drejtuesi i mjetit një 44-vjeçar, efektiv i policisë rrugore, mbeti i plagosur.
Si pasojë e aksidentit të ndodhur gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës, autostrada mbeti e bllokuar për disa orë.
Aktualisht hetimet janë në vijim, për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.