Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale të 21 Prillit, të martën qëndroi në rajonin e Gostivarit, nga ku për së afërmi bashkëbiseduan me banorët e Çegranit dhe Forinës.
Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet presidenciale 2019, Izet Mexhiti para banorëve të dy lokaliteteve potencoi se me mbështetjen e kandidatit konsensual për president mbështesim proceset integruese të vendit.
“Jemi në dekadën e tretë të demokracisë dhe BDI ka bërë të gjitha analizat për veprim të mëtejmë. Në vitin 2016 ne si BDI vendosëm të krijojmë një shumicë të re qeveritare me LSDM që kishte 49 deputetë dhe jo me VMRO-DPMNE që kishte 51 deputetë. Ishim të vetëdijshëm që ua mundësojmë partive të vogla me nga një apo dy deputetë të faktorizohen për shkak të shumicës së ngushtë që kishim në Parlament. U formua Qeveria me orientim pro-evropian dhe pro NATO dhe u arrit marrëveshja për ndryshimin e emrit. Gjatë referendumit u pa që forca të shumta tentuan të sabotojnë procesin me të vetmin qëllim që referendumi të dështon. Duke i pas parasysh këto rrethana, ne vendosëm që mos të rrezikojmë procesin integrues të vendit dhe të mos garojmë sa për sy e faqe, por që në rrethin e parë të përkrahet kandidati konsensual me qëllim që të mos vijë në pikëpyetje rrezikimi i procesit. Po të kishte reflektuar opozita shqiptare, ne që në rrethinë e parë do të kishim Presidentin e ri pa mos humbur më tepër kohë”, deklaroi Mexhiti.