Drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska, konfirmoi në konferencën e sotme për media se ajo pajtohet me pozitën e Bankës Botërore që një pjesë e popullsisë maqedonase nuk dëshiron të punojë dhe as nuk kërkon punë. Ajo vuri në dukje se shumë nga njerëzit që janë regjistruar si të papunë nuk vijnë në një intervistë pune kur ata thirren nga Agjencia e Punësimit ose punëdhënësi, njofton Makfax.
Jovanovska informoi se aktualisht në vend numri i të papunëve është rreth 190 mijë.
“Ne po përballemi me problemin që kur një punëdhënës kërkon fuqi punëtore, kemi situatë kur personat e ftuar që janë të regjistruar si të papunë nuk vijnë në intervistë me Agjencinë e Punësimit, sepse nuk është e detyrueshme, domethënë ata nuk janë të detyruar me ligj që të vijnë. Nga të gjithë të papunët që thirren, vetëm 30% vijnë, gjysma prej të cilëve shkojnë në intervistë me punëdhënësin. Kurse ata që shkojnë në intervistë, nuk i pranojnë kushtet, domethënë pozicionin, ndërrimin, pagën dhe kështu me radhë”, thotë Jovanovska.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se Agjencia e Punësimit përballet me problemin e mosbesimit të punëkërkuesve sepse punëdhënësit të cilët janë të detyruar me ligj të publikojnë shpalljen, kanë gjetur më parë një person për pozicionin, dhe kur ata që kërkojnë punë do ta kontaktojnë punëdhënësin, ata u thonë se vendi i punës është zënë.
“Ne po punojmë për këtë problem për të krijuar besim në mesin e të gjithë pjesëmarrësve në procesin e punësimit, në të cilin të gjithë duhet të jenë të ndershëm, ne si agjenci, punëdhënësit dhe punëkërkuesit, që vërtet dëshirojnë të punojnë”, tha Jovanovska.
Në konferencën e sotme për media, drejtoresha e Agjencisë për punësim theksoi se plani i vetëpunësimit për vitin 2018 ishte i suksesshëm, që do të thotë se me masat punësohen rreth 6500 njerëz, nga të cilët 53% janë të rinj deri në 29 vjeç.
Ajo theksoi se programi vazhdon këtë vit me një buxhet në rritje prej 1,1 miliard denarë, me çka pritet të rritet numri i të punësuarve deri në 8.500.