“Nuk kemi opsion tjetër, përveç Bashkimit Evropian dhe NATO-s, kurse korrupsioni dhe papunësia duhet të ndalohen”, kështu është deklaruar kandidati i pavarur për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Blerim Reka sot në tubimin në Zhelinë, transmeton Portalb.mk.
Më tej, Blerim Reka tha se paperspektiva e zbrazi për një çerek popullatën e vendit.
“Qytetarët po shpërngulen jo vetëm nga papunësia, por edhe nga korrpusioni institucional, nepotizmi. Nëse tani nuk e rikthejmë Republikën në binaret Euro- Atlantike, çfarë na duhet nesër anëtarësimi në BE si shtet i zbrazur kur veç më gjysma e popullatës do të jetë e “integruar” në BE. Si president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të punojë në parandalimin e integrimit në BE si shtet i zbrazur. Për Maqedoninë e Veriut në BE, si shtet bashkë me qytetarët e saj”, tha Reka.
Nga ana tjetër, liderët e partive mbështetese të Rekës, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe Bilall Kasami nga Lëvizja BESA, thanë se do të hiqet maska që manipuloi me shqiptarët që 18 vjet dhe se Stevo Pendarovski nuk do ta ketë votën e pastër shqiptare.
“E kemi për obligim që ta heqim maskën që manipuloi shqiptarët që 18 vjet. Ne asnjëherë nuk do ta përkrahim dikë që nuk është sikur ne, që nuk është shqiptar”, tha Sela.
“Pendarovski e di se nuk do ta ketë votën e pastër shqiptare. BDI-ja në vitin 2014-të nuk e ka përkrahur, sepse ishte opozitë, kurse tash i jep përkrahje sepse është pjesë e Qeverisë”, tha Kasami.