Profili i Admir Murataj, 42-vjeçarit të akuzuar për disa grabitje, më e fundit ajo e 9 prillit në aeroportin e Rinasit që i mori dhe jetën ka kuriozuar jo pak njerëz.
Fakti që babai i 4 fëmijëve kishte arritur të kryente disa grabitje dhe t’i shpëtonte policisë për vite me radhë, e më pas të bënte goditjen e fundit në një nga vendet më të sigurta të Shqipërisë, e ka zbehur jo pak anën kriminale të tij edhe pse ditën që u vra, sipas hetimeve me bashkëpunëtorët e tij sulmuan policinë me granata e kallashnikovë.
U deshën orë të tëra për ta identifikuar megjithëse fotoja e tij ndodhej në çdo komisariat policie dhe në çdo faqe interneti si një nga njerëzit më të kërkuar. Kjo pasi Admir Murataj i ishte nënshtruar disa ndërhyrjeve estetike për të ndryshuar imazhin e tij.
Në foton e parë të shpërndarë për mediat disa vite më parë dhe që ngeli e vetmja deri më 9 prill, ai shfaqej me një imazh prej një njeriu mëse të zakonshëm, megjithëse kishte kryer disa grabitje bankash në Greqi dhe ishte arratisur nga burgu. Hundë boksieri, pak të shtypur, sy të mëdhenj, ball me rrudha, flokë disi të rrallë në pjesën e përparme, të rënë mbi ballë, buzë të holla e mjekër me vrimë ishin tiparet e tij dalluese. Më pas, më 9 prill doli fotoja e tij me maskë gjatë grabitjes në aeroport që e nxirrte si një tullac, me mjekër e syze të vëna, pamje tipike e një grabitësi.
Por sot vëllai i Admirit, Cani iu ka siguruar mediave një imazh të ri, gati të panjohur të vëllait të tij të ndjerë Admirit. Sipas Can Murataj, është një foto e bërë në vitin 2015 por nuk dihet para apo pas grabitjes së shkurtit në të njëjtin vit. Këtu Admir Murataj ka disa tipare të ndryshme, duke nisur nga hunda e më pas mjekra, ndërsa në kokë mban një kapuç të zi dhe fotoja duket që është bërë në natyrë, në borë. Kujtojmë se sot Can Murataj tha se Admiri pëlqente shumë të ecte në natyrë dhe t’i ngjitej malit.
47-vjeçari Admir Murataj u vra më 9 prill pas grabitjes së miliona eurove në aeroportin e Rinasit.