Beteja e ashpër politike pas djegies së mandateve ka nxjerrë në skenë propozime nga më të ndryshmet për hedhjen në “kosh” të sistemit aktual zgjedhor dhe riformatimin e tij me lista të hapura, çka do të sillte largimin e kriminelëve nga Parlamenti.
Në vazhdën e këtyre ideve, gjatë diskutimit në “Opinion”, analisti Lorenc Vangjeli zbuloi disa detaje tronditëse mbi aktivitetin e deputetëve të lidhur me krimin në Europë.
Sipas tij, krimi sot është politik, ndaj kjo e fundit është përgjegjëse për çka po ndodh.
Ndërkohë që Shemsi Prençi deklaroi se deputetë të Parlamentit kanë sjellë në Shqipëri para të kriminelëve shqiptarë nga jashtë vendi, Vangjeli e mbështeti pohimin dhe tregoi dhe se sa kanë fituar këta deputetët nga ky transport.
“E konfirmoj një gjë të tillë, deputetë më pasaportë diplomatike që nuk e kishin për turp të sillnin para nga prostitucioni dhe nga trafiku i drogës. Përqindjet fillonin nga 2-3 përqind fillimisht nga Zvicra, vete më parë dhe sot ka vajtur deri në 15 për qind, për fitimet”, tha Vangjeli.
Ai theksoi se grupet kriminale janë larguar nga tregtia e kanabisit për t’u përqendruar tek tregu u kokainës.
“Krimi sot është me kostum dhe kravatë. Përgjegjësi të parë dhe kryesore ka politika. Ne e shikojmë Shqipërinë, tek kryeministria, tek protesta pa kaluar në periferi aty ku është skamja dhe krimi. Njerëzit të cilët janë votuar, ata që kanë braktisur mandatin duhet ta dinë që duhet të bëhen bashkë dhe të luftojnë krimin. Ajo që po ndodh në Shkodër dhe Elbasan është rritja e krimit në një potencial edhe më të madh. Grupet kriminale kanë potenciale të jashtëzakonshme financiare dhe materiale, por orientohen në tregun e kokainës duke e lënë tregun e kanabisit”, tha ai.