Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, ku një person ka vrarë gruan, nusen e djalit të tij dhe më pas edhe veten.
Rastin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Imer Beka.
“Po kemi marrë informacion që dy persona kanë ndërruar jetë. Sipas informacioneve të para dyshohet se një person ka vrarë gruan e djalit të tij dhe më pas ka vrarë edhe veten”, ka bërë të ditur Beka. Prokurori momentalisht është duke shkuar në vend të ngjarjes.
“Rreth orës 13:20, policia ka marrë informacionin për nje vdekje te dyshimte ne rrugen “Bill Klinton” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit janë vrarë tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekesor ne vendngjarje. Aktualisht njësitet policore janë duke punuar në sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, konfirmoi zëdhënsja e policisë Flora Ahmeti.
Në vendin ku ndodhi ngjarja kishte qenë prezente edhe një vajzë dy vjeçare.
Paraprakisht thuhet se personi që kreu vrasjet kishte qenë i sëmurë mendor.