Mister pas vdekjes tragjike te vajzës se mitur, vetëm 11 vjeçe, qe i dha fund jetës duke varur veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në fshatin Babicë, vetëm disa kilometra larg qytetit të Vlorës.
E mitura mbërriti e pajetë në spitalin rajonal. Ngjarja ka ndodhur mesditën e ditës së djeshme. Ajo u gjet nga vëllai i saj i vogël në banjë, i cili i tmerruar nga ajo që i panë sytë lajmëroi menjëherë prindërit. 11-vjeçarja është gjetur e varur dhe pavarësisht se familjarët i kanë dhënë ndihmën e parë në tentativë për ta rikthyer në jetë, nuk kanë mundur dot. Sipas informacioneve nga Policia, vajza është gjetur nga i vëllai i saj në banjën që kishin ngjitur me banesën e tyre.
E mitura u dërgua me urgjencë në spital, por mjekët nuk kishin asgjë në dorë, pasi nuk paraqiste shenja jete. Vajza është identifikuar me inicialet L.M., ndërsa nga informacionet e përcjella nga të afërm dhe Policia mësohet se në banjën ku edhe është gjetur vajza, është gjetur gjithashtu edhe një litar.
Trupi i 11-vjeçares u dërgua në morgun e qytetit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkakun e vdekjes së të miturës. Nuk dihen ende shkaqet që mund të kenë çuar 11-vjeçaren drejt vetëflijimit.
Familjarët thonë se vajza nuk kishte shfaqur asnjë shenjë që të tregonte se ishte prekur nga depresioni. Nuk përjashtohet fakti që e mitura të ketë përjetuar keq ndonjë situatë apo debat mes saj dhe familjarëve apo shokëve e shoqeve në shkollë. Pritet që Policia të zbardhë rrethanat e ngjarjes.
Panorama