Për të tretën herë brenda katër viteve, spanjollët do t’u drejtohen këtë dielë kutive të votimit. Pritet që të konfirmohet një model mbarë evropian i largimit të votuesve nga partitë tradicionale.
Me shfaqjen e fraksioneve të reja me baza populiste, politika evropiane po bëhet më e fragmentuar, duke sjellë si rezultat qeveri të krijuara nga pakica, koalicione të keqformuara qeverisëse, më shumë ngërç politik dhe më pak parashikueshmëri. Ky pritet të jetë edhe fati i Spanjës këtë të dielë, ndërsa analistët parashikojnë se mund të mbahen zgjedhje të tjera të parakohshme brenda këtij viti.
Zgjedhjet do të konfirmojnë fragmentimin e politikës, sipas Ivan Llamazares, shkencëtar politik në Universitetin e Salamankas. Ai thotë se “do të jetë shumë e vështirë të krijohen maxhoranca të qëndrueshme legjislative në vitet në vazhdim” në Spanjë, për shkak të shpërbërjes së politikave konsensuale të qendrës.
Socialistët, të udhëhequr nga kryeministri aktual Pedro Sanchez, pritet të tërheqin pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet e ashpra të 28 prillit, të përshkuara nga tensione të larta dhe akuza tradhtie të hedhura pa kursim. Ngritja e partisë ultranacionaliste Vox, e cila në muajin dhjetor fitoi 12 vende në parlamentin rajonal të Andaluzisë, e ka shtuar më tej ashpërsinë dhe paqëndrueshmërinë e këtyre zgjedhjeve.
Do të ishte një arritje e madhe nëse zoti Sanchez do të dilte në krye të rezultateve këtë të dielë. Deri vitin e kaluar, socialistët ishin të përfshirë të ndarë në grupime dhe pësuan dy humbje të mëdha elektorale. Anketimet tregojnë se partia e zotit Sanchez tani pritet të marrë rreth 30% të votave. Megjithë një lloj rigjallërimi, Partia Socialiste Spanjolle (PSOE) pritet mos të jetë në gjendje të arrijë shumicën. Anketuesit dhe analistët parashikojnë se kësaj partie do t’i duhet të formojë një koalicion qeverisës, e para qeveri e tillë për Spanjën që nga viti 1977, kur demokracia u rivendos në vend.
Partia ultra-nacionaliste Vox, e udhëhequr nga Santiago Abascal, u shfaq papritur dhe u shndërrua në një forcë elektorale. U thye kështu besimi politik në Spanjë se një parti e deklaruar e djathtës së largët nuk mund të krijonte mbështetje, për shkak të kujtimeve të diktaturës së gjatë që vendi pati përjetuar. Regjimi i Frankos qeverisi Spanjës nga viti 1939, deri në vdekjen e tij në vitin 1975.
Ivan Llamazares thotë se partia Vox po tërheq votuesit konservatorë që janë të zemëruar me përpjekjet e Katalonjës për shkëputje nga Spanja, dhe se “ka fragmentuar të djathtën dhe i ka tërhequr në pozicione më ekstreme partinë konservatore PP dhe atë të qendrës së djathtë Ciudadanos”.
Udhëheqësit e partisë Vox thonë se anketuesit gabohen. Ata thonë se ata do të jenë në gjendje të krijojnë një koalicion qeverisës të djathtë dhe se e majta nuk do të jetë në gjendje të krijojë një koalicion.