Kancelarja gjermane Angela Merkel do të jetë nikoqire e takimit me kryeministrin Zoran Zaev, në Berlin, ku mbahet Konferenca e kryeministrave të vendeve anëtare dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Zaev drejton delegacionin vendas të përbërë edhe nga zv.kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov. Ftesa ka ardhur edhe nga presidenti i Francës Emanuel Makron, me të cilin Zaev po ashtu do të zhvillojë takim tet-a-tet. Makron është një ndër më skeptikët për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në qendër të Konferencës do të jetë bashkëpunimi rajonal por me theks të veçantë raporti mes Kosovës dhe Serbisë.
Qëllimi i takimit është të sigurohet diskutim për situatën politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Fokusi i bisedimeve do të vendoset në mundësitë e përparimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhja e çështjeve të hapura, si për shembull normalizimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”-thonë nga Qeveria.
Takimet që pritet të mbahen në kryeqytetin gjerman konsiderohen si të rëndësishme, tani kur Shkupi shpreson në vendim pozitiv në qershor, për marrjen e datës për fillim të negociatave për anëtarësim. Në fillim të muajit prill, Zaev kishte realizuar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, prej të cilës kishte kërkuar mbështetje.
Mediat gjermane, përveç që kanë raportuar për Konferencën e Berlinit, i kanë kushtuar theks të veçantë çështjes së Maqedonisë së Veriut. Sipas “Frankfurter Algemajne Cajtung”, Serbia nuk e meriton anëtarësim për shkak të gjendjes së mediave dhe sjelljes së Presidentit Aleksandër Vuçiq ndaj opozitën ndërkohë shton se në Ballkan ekziston vetëm një përjashtim që meriton shpërblim, Maqedonia e Veriut. Sipas të përjavshmes “Velt”, kancelarja Merkel dëshiron me çdo kusht ta bind presidentin Francez që Maqedonisë së Veriut në qershor t’i jepet mundësia të fillojë negociatat. Media të tjera gjermane kanë vendosur fokusin në raportin mes Serbisë dhe Kosovës. Takimet me të rëndësishme janë caktuar për në orët e pasditës kurse konferenca do të fillojë në orët e mbrëmjes.