“Financial Times”
Një vit ka kaluar tashmë që kur Greqia dhe shteti që sot quhet Maqedonia e Veriut nënshkruan një marrëveshje historike, që i dha fund një mosmarrëveshjeje 27-vjeçare mes tyre duke shënuar një sukses të rrallë diplomatik në Ballkan. Por, Bashkimi Europian sërish po zvarrit hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pas shtyrjes vitin e kaluar, gjatë kësaj jave BE-ja shtyu sërish për në tetor marrjen e një vendimi. Shtyrja është një vendim jashtëzakonisht për të ardhur keq. Vendosja e këtyre vendeve në rrugën drejt anëtarësimit është jetik jo vetëm për ruajtjen e ritmit të reformave, por edhe për të përcjellë një mesazh në një rajon më të gjerë, më i paqëndrueshmi në Europë, se dyert e BE-së mbeten të hapura.
Ndonëse muajin e kaluar Komisioni Europian bëri një rekomandim të ri për nisjen e bisedimeve me të dy vendet, “lodhja nga zgjerimi” dhe qëndrimi kundër emigrantëve po i bën kryeqytetet europiane më të kujdesshme. Parlamenti gjerman ka shtyrë çdo vendim të mundshëm deri në muajin shtator; Dhoma e Ulët e Parlamentit holandez ka kundërshtuar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Presidenti francez, Emmanuel Macron preferon të përqendrohet më tepër në reformat e brendshme të BE-së dhe forcimin e eurozonës, por druhet gjithashtu se pranimi i negociatave të reja të anëtarësimit mund të përdoret kundër tij nga kritikët e brendshëm të së majtës dhe të së djathtës ekstreme.
Megjithatë, marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut në veçanti meriton të shpërblehet. Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka treguar kurajo të madhe dhe ka investuar kapital të madh politik në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Ndërsa marrëveshja mbështetet në baza të forta të legjislacionit ndërkombëtar, sërish ka kritikë, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Greqi, që muajin e ardhshëm zhvillon zgjedhje të përkohshme. Një demonstrim mbështetjeje të fortë nga BE-ja duke hapur negociatat e anëtarësimit do të ndihmonte në konsolidimin e marrëveshjes.
Shqipëria gjithashtu ka bërë progres të ndjeshëm me reformat, edhe pse rrjetet e krimit të organizuar atje mbeten një problem europian dhe Kryeministri Edi Rama, i cili po përballet me akuza për manipulim të zgjedheve, akuza që ai i ka hedhur poshtë, nuk ka përmbushur pritshmëritë e larta që kishte nga ai. Ky mund të jetë një justifikim për hapjen e negociatave të anëtarësimit fillimisht me Maqedoninë e Veriut. Por, hendeku nuk duhet të jetë shumë i madh, pasi tensionet do të rriteshin në Shqipëri, si dhe në mesin e shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Kosovë.
Për të qenë të sigurtë, cilësia e demokracisë dhe shteti i së drejtës nuk i plotësojnë standartet e BE-së në të dy vendet. Megjithatë, fillimi i bisedimeve për anëtarësimin – që kërkon vite për t’u përfunduar – është mënyra më e mirë për të siguruar vazhdimësinë e reformave. Dritarja e mundësisë nuk hapet për një kohë të pacaktuar. Mbajtja e derës së BE-së e mbyllur do të dëmtonte përpjekjet për t’i afruar vendet me standardet e BE-së mbi qeverisjen dhe rregullimet ekonomike.
Argumenti ekonomik është gjithashtu i fortë. Tregtia midis BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor shënoi 54 miliardë euro vitin e kaluar; Kompanitë e BE-së janë investitorët më të mëdhenj të rajonit. Një akses më i madh drejt tregjeve të BE-së do të ndihmonte përmirësimin e standardeve reale të jetesës dhe rritjen e stabilitetit.
BE përballet me rivalitet teksa vende të tilla si Kina, Rusia dhe Turqia kërkojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre në rajon me efekte potencialisht të dëmshme. Investimet kineze, në veçanti, mund të duken tërheqëse duke pasur parasysh mungesën e fijeve burokratike të BE-së – megjithëse shpesh vijnë me kushte të tjera bashkëngjitur.
Herë pas here, liderët europianë kanë bërë gabimin e të qenit në konkurrencë me njëri-tjetrin në Ballkan ose duke e trajtuar rajonin si një periferi që nuk ka aspak lidhje me shqetësimet e tyre kryesore ose si një moçal kundrejt të cilit Europa Perëndimore, më e pasur dhe më e qëndrueshme, duhet të ngrejë një karantinë. Për 200 vjet ngjarjet kanë treguar se asnjë nga këto qasje nuk funksionon – në të vërtetë, ato shpesh sjellin më shumë probleme. Do të ishte një tragjedi që BE-ja të përsëriste gabimet e së kaluarës.