Kompania italiane FV Frangivento javën e kaluar ka njoftuar se së shpejti do të prezantojë super-veturën e re Asfane DieciDieci, gjë që tani ka ndodhur.
Super-makina e re e ka mbajtur premierën në Muzeun Kombëtar Automobilistik në Torino, me njoftimin se ky model “do të hapë një kapitull të ri në historinë e FV Frangiventos”.
FV Frangivento Asfane DieciDieci është në version hibrid dhe ka motorin benzinë 5.4-litër V10, të vendosur në pjesën qendrore, dhe dy motorë elektrikë të vendosur në pjesën e përparme.
Në total, kjo super-veturë ka kapacitet prej 1010 kuajfuqi dhe duhet theksuar se motori benzinë vë në lëvizje rrotat e pasme ndërsa ato të përparme dy motorët elektrikë, transmeton Koha.net. Kjo nënkupton se Asfane DieciDieci ka sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat dhe më shumë fuqi se modeli më i ri i Ferrarit, SF90 Stradale.
Gjithashtu, karroceria e kësaj super-veture është e bërë nga fibra të karbonit dhe alumini, ndërsa peshon 1.550 kilogramë.
Sa i përket çmimit, Asfane DieciDieci i gjatë 4.6 metra do të kushtojë rreth një milion euro dhe në të ardhmen e afërt do të prodhohet në seri të kufizuar.