Futbolli shqiptar po kalon një krizë të dukshme financiare, të cilën tashmë nuk mund ta fshehë më as FSHF edhe pse vazhdon të trumbetojë prej vitesh se po drejton një kampionat të niveleve të larta.
Pjesëmarrja në Kupat e Europës është e vetmja e ardhur e rëndësishme që kanë shumë klube në sezon për të përballuar vitin duke parë se e drejta televizive apo marketingu janë në nivele qesharake në vendin tonë.
Edhe këtë vit, të ardhurat nga Europa janë ato të cilat do të sjellin sadopak frymëmarrje në Superiore, duke u mundësuar disa klubeve që të kenë likuiditetet e nevojshme për të bëjë lëvizje e përforcime para fillimit të sezonit të ri.
Edhe pse ky edicion nuk mund të cilësohet shumë i suksesshëm pasi klubet shqiptare nuk kaluan asnjëri turin në Europë, gjithsesi nga kuotat e UEFA-s janë përfituar diçka më shumë se 1,5 milionë euro të cilat do të ndihmojnë futbollin të kalojë edhe këtë sezon.
Partizani është përfituesi më i madh me 800 mijë euro në këtë edicion falë pjesëmarrjes në turin e parë të Ligës së Kampioneve, turin e dytë të Lugës së Europës dhe kuotës që i takon si kampion i Shqipërisë.
Më pas, Laçi, Kukësi dhe Teuta kanë përfituar gjithsecili nga 240 mijë euro, për një total prej 1520000 eurosh.
Kampionati kosovar, edhe pse vetëm me 2 përfaqësues në Europë ka përfituar 1250000 euro, falë suksesit sidomos të Feronikelit i cili kaloi paraeliminatore.
Kampionët e Kosovës kanë përfituar në total 1,03 milionë euro, ndërsa Prishtina ka përfituar 220 mijë euro.
Edhe kampionati maqedonas ka përfituar po 1,52 milionë euro, me Shkëndijën e Tetovës që ashtu si Partizani ka siguruar 800 mijë euro nga pjesëmarrja jo e suksesshme në Kupat e Europës.
Të gjitha janë rezultate që duhet të bëjnë të reflektojë futbollin shqiptar pasi kampionate të vendeve si Malta, Ishujt Faroe apo Luksemburgu, kanë përfituar shifra që i afrohen apo kalojnë 2 milionë eurot dhe kanë ende ekipe në garë.