Matteo Salvini ka vendosur që të rrezikojë gjithçka për gjithçka.
Në fund i është nënshtruar presioneve të Lega Nord, Ligës së vërtetë, që prej muajsh kërkonte prishjen e koalicionit me Lëvizjen 5 Yje për të sjellë zgjedhje të parakohshme. Se pse e bëri tani në kohë pushimesh, kjo nuk mund të thuhet me siguri.
Rastet për ta bërë këtë nuk kanë munguar më herët. Nëse nuk ka ndodhur është sepse deri dje Salvini ushqente dyshime mbi mundësinë e shkaktimit të krizës në këto momente. Pastaj diçka ndryshoi.
Çështja e trenave të shpejtësisë së lartë për të cilën po debatohet është vetëm një alibi.
Një arsye më e qendrueshme është mungesa e marrëveshjes për autonominë. Mbi këtë, ama, nuk mund të prishej me rrezikun e një fushatë elektorale veriu kundër jugut. Edhe shkurtimi i parlamentarëve ka pasur ndikim. Reforma kushtetuese duhej të ishte mbyllur në parlament në shtator. Kërkesa eventuale për referendum do të zgjaste kohën e aplikimit. Pa llogaritur faktin se votimet pas shkurtimit të numrit do të sillnin një reduktim drastik të përfaqësisë parlamentare të fituesve eventualë.
E pastaj është edhe ligji i buxhetit 2020. Deri më sot shumë mendonin se Salvini do të preferonte ta hartonte buxhetin me Lëvizjen 5 Yjet. Por tashmë duket qartë se ka ndryshuar mendim. Thotë se është i gatshëm që ta bëjë vetëm, pas votimeve. Në realitet, nuk është aspak e qartë se kush do ta bëjë.
Është e vështirë që zgjedhjet të mund të mbahen më herët sesa fundi i tetorit.në atë pikë, ose do të jetë qeveria në detyrë, cilado qoftë, që do të marrë përsipër përgjegjësinë ose do të jetë qeveria e re e zgjedhur nga votuesit.
Salvinit i shkojnë për mbarë të dyja variantet.
Por këto faktorë nuk mjaftojnë për të shpjeguar plotësisht vendimet e Salvinit.
Pa zgjedhjet europiane dhe të dhënat e sondazheve nuk do të kishte krizë. Lega është akoma në nivelin e 35%. Sipas një sondazhi të publikuar sëfundmi shumica e italianëve preferon votën e besimit për qeverinë Conte. Është shumë e mundshme që këto të dhëna, në kombinim me presionin e legistëve të veriut kanë bërë që lideri i Lega Nord të ndryshojë qendrim.
Ai është bindur tashmë se i intereson që të shkojë në votë menjëherë duke synuar që të marrë mazhorancën absolute të vendeve në parlament. Vetëm apo me koalicion? Vendimi është delikat.