Gazetarja Greta Van Susteren intervistoi për Zërin e Amerikës këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton për një numër çështjesh.
VOA: Zëri i Amerikës ka qasje në të gjithë botën, përfshirë drejtpërdrejt në Venezuelë dhe vendet e rajonit përreth. Shumë kaos po ndodh atje. Cili është mesazhi që dëshironi të përcillni për njerëzit në Venezuelë? Çfarë duhet të dinë ata rreth politikës amerikane?
John Bolton: Duhet të dinë se ne mbështesim plotësisht dëshirën e tyre të arsyeshme për të qenë në gjendje të kontrollojnë qeverinë e tyre dhe për të hequr qafe këtë regjim ushtarak autoritar, që në thelb shkatërroi ekonominë e vendit gjatë njëzet viteve të fundit. Vendet e hemisferës perëndimore janë pothuajse unanimisht në mbështetje të dëshirës së tyre për të parë një transferim paqësor të pushtetit. Pesëdhjetë e gjashtë qeveri e kanë njohur Juan Guaidon si presidentin e përkohshëm legjitim. Është hera e parë që ka pasur ndonjëherë një refuzim të tillë ndaj regjimit të Maduros. Pra kohët janë të vështira në Venezuelë, kjo për shkak të njëzet viteve të keqmenaxhimit të ekonomisë. Por dëshira jonë është të shohim një transferim paqësor të pushtetit dhe të kemi vërtet zgjedhje të lira.
VOA: Përballja me Maduron tani përfshin Rusinë, Kinën dhe Kubën. Cili është mesazhi që duhet të marrin?
John Bolton: Ata duhet të ndalin ndërhyrjen në punët e brendshme të Venezuelës. Opozita llogarit se ka mes 20 dhe 25 mijë kubanë në Venezuelë. Ata janë në fakt funksionarë paraushtarakë dhe ushtarakë. Ata mund të mos të kenë uniforma por janë aty jo vetëm për të mbështetur regjimin e Maduros, por për ta drejtuar atë. Do të bëja një parashikim që në se këta 20 apo 25 mijë kubanë do të shkonin në vendin e tyre sot në mesditë, deri në mbrëmje Maduro nuk do të ishte më në pushtet. Pra nëse je venezuelian do t’i bëje pyetje vetes: përse vendi ynë po kalon gjithë këtë krizë për të mbajtur në këmbë Kubën?
VOA: A shihni mundësinë e ndonjë përfshirjeje ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara, apo do të ketë thjesht një qasje sanksionesh ekonomike?
John Bolton: Presidenti Trump e ka thënë që në fillim se të gjitha opsionet janë në tryezë. Kemi ndoshta njëqind mijë qytetarë amerikanë, shumë me shtetësi të dyfishtë në Venezuelë. Ka dhjetëra mijëra evropianë dhe qytetarë të tjerë të huaj atje. Padyshim që nuk është dëshira jonë të shohim ndonjë ndërhyrje ushtarake. Ne duam një transferim paqësor të pushtetit. Shpresojmë që regjimi të mos shkaktojë akoma më shumë shkatërrime nga çfarë ka shkaktuar tashmë. Por askush nuk duhet të mendojë se ne do të lejojmë që kjo të vazhdojë. Po ju sjell një shembull tjetër. Tani ka 5 milion refugjatë nga Venezuela dhe vendet e tjera të hemisferës në Kolumbi, Peru, Brazil dhe vende të tjera. Është katastrofa më e rëndë humanitare në historinë e kësaj hemisfere.
VOA: Me paralajmërimin tuaj për vendet e tjera që bëjnë biznes me Venezuelën, pas vendosjes së raundit të dytë të sanksioneve, a po komunikoni me Rusinë apo me Kinën? Çfarë thonë ata për Venezuelën? A po bëhet Venezuela si një lloj top futbolli politik?
John Bolton: Po, kemi folur, si me Rusinë ashtu edhe me Kinën. Presidenti foli posaçërisht me Vladimir Putinin për këtë. Mendoj se një nga gjërat më interesante që tha Putini ishte: ju e dini që ata nuk mund të marrin dot vendime ekonomike në Venezuelë dhe në thelb pohoi se regjimi Maduro e ka marrë këtë kompani të pasur me naftë dhe e varfëroi atë. Mendoj se rusët dhe kinezët duhet të jenë shumë të kujdesshëm se si veprojnë aty. Qeveria e Venezuelës i detyrohet atyre miliarda dollarë dhe nëse vjen një qeveri e re dhe vendos që ky borxh ishte kontraktuar në mënyrë të paligjshme, ata mund ta hedhin poshtë atë. Prandaj nëse doni të përfitoni nga shpimi i naftës venezueliane, mendoj se duhet të mendoheni mirë se çfarë do të mendonte një qeveri e re e zgjedhur demokratike për këdo që mbështet regjimin Maduro.
VOA: Hong Kong. Protestat vazhdojnë në Hong Kong. Cili është pozicioni i Shteteve të Bashkuara apo çfarë synojnë të bëjnë apo të mos bëjnë Shtetet e Bashkuara?
John Bolton: Ju e dini se kinezët kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara si shkaku i të gjitha këtyre demonstratave. Ata kanë thënë se jemi dora e zezë që filloi të gjitha këto dhe ata kanë bërë gjëra të tilla si botimi i informacione private për diplomatët, diplomatët amerikanë në Hong Kong. Kjo duhet të ndalet. Kinezët duhet të shohin me shumë kujdes hapat që ndërmarrin sepse njerëzit në Amerikë kujtojnë Sheshin Tiananmen, ata mbajnë mend fotografinë e njeriut që qëndroi para vijës së tankeve, ata e mbajnë mend statujën e Zonjës së Lirisë, mbajnë mend zërat e popullit kinez që kërkojnë liri dhe demokraci, mbajnë mend shtypjen e qeverisë kineze në vitin 1989 dhe do të ishte një gabim i madh të krijohet një kujtim të ri si ky në Hong Kong.
VOA: Cila është kostoja për Kinën? Doja të thoja, këto kujtime të këqia që ju cituat, i kujtoj, i mbaj mend, por Kina ka ecur mirë pavarësisht kësaj.
John Bolton: Një arsye është se ne jemi të përfshirë në një garë shumë të vështirë ekonomike me Kinën tani. Një arsye që ata ecën mirë pas asaj ishte nga vjedhja e pasurisë intelektuale amerikane, përfshirja në transferimin e detyruar të teknologjisë dhe jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara por edhe nga Evropa dhe Japonia. Gati 60 përqind e investimeve në Kinë kalon përmes Hong Kongut. Përse? Për shkak se ka një sistem gjyqësor që është i besueshëm, bazuar në modelin anglez që ne njohim në këtë vend, gjykatat mendohet të jenë të paanshme. Nëse Hong Kong e humbet këtë reputacion për shkak të një vendimi të gabuar të qeverisë kineze, këtë herë ata do të kenë pasoja të rënda ekonomike në Kinë, dhe mund t’ju them nga ato që kam dëgjuar, vetëm në javët e fundit, se fryma në Kongres është shumë e paqëndrueshme në këtë pikë, dhe një gabim nga qeveria kineze mendoj se do të shkaktonte një reagim të fuqishëm në kongresin amerikan.
VOA: Çfarë thoni se mendon Presidenti Xi për atë që po ndodh në Hong Kong?
John Bolton: Mendoj se është i shqetësuar për hapat që mund të ndërmarrë në të ardhmen. Ai është gjithashtu i shqetësuar për frymën që të gjithë të tjerët në Kinë mund të shohin tek Hong Kongu, ata duan lirinë e tyre. Shtetet e Bashkuara minimum presin që Kina të mbështesë marrëveshjen e traktatit që bëri me Mbretërinë e Bashkuar kur Hong Kongu iu kthye Kinës. Angazhimi për një vend, por me dy sisteme. Që, për 50 vjet pas dorëzimit, Hong Kong do të të ruajë sistemin e tij të veçantë dhe liritë që i janë lënë nga britanikët. Nëse ky traktat shkelet, është një problem i konsiderueshëm besueshmërie për Pekinin.
VOA: “Koreja e Veriut, Kim Jong Un. A do të ketë një samit tjetër? Dhe së dyti, a ka ndonjë përparim në negociata?
John Bolton: Ne nuk kemi pasur në fakt ndonjë negociatë thelbësore, në nivelin e punës me Korenë e Veriut që kur presidenti u takua me Kim Jong Un në Zonën e Çmilitarizuar midis Koresë së Veriut dhe Jugut. Ne shpresojmë që ato të fillojnë përsëri së shpejti. Çështja e vërtetë është nëse Koreja e Veriut do të marrë vendimin e qartë strategjik për të hequr dorë nga armët e saj bërthamore dhe sistemet e hedhjes. Presidenti Trump i tregoi një film Kim Jong Un-it në Singapor kur ata u takuan për herë të parë se si mund të dukej e ardhmja ekonomike e Koresë së Veriut, nëse ata heqin dorë nga programi i tyre i armëve bërthamore. Ishte një film shumë mbresëlënës, dhe e pashë reagimin e Koresë së Veriut në tryezë. Dera është e hapur për ta që të arrijnë atë lloj jete për njerëzit e Koresë së Veriut, por ata duhet ta marrin vendimin e duhur dhe nuk e kanë bërë atë akoma.
VOA: Si janë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Putinit tani?
John Bolton: Mendoj se Presidenti Trump ka një marrëdhënie shumë të mirë personale me Presidentin Putin. Ne kemi pasur një numër takimesh me të për një varg temash. Vetëm disa javë më parë, në të vërtetë, unë u takova me homologun tim rus dhe homologun tonë izraelit në Jeruzalem për të zhvilluar një takim mes tre këshilltarësh të sigurisë kombëtare për Sirinë, dhe praninë e Iranit në Siri. Pra, ne po flasim me ta, kemi një dialog kundër terrorizmit me ta. Ka shumë çështje ku kemi mosmarrëveshje, pa dyshim.
VOA: Por, si mund të kesh një marrëdhënie të mirë me ta nëse bëjnë gjëra të tilla si prova me një lloj arme bërthamore?
John Bolton: Mendoj se Presidenti shpreson që marrëdhëniet personale që ai ka do të përkthehen në diçka më shumë. Dhe ne kemi pasur bisedime me ta për të dalë nga Traktati INF, për të cilin ata na kuptuan. Ne thamë se ata po shkelnin traktatin, gjë që po e bënin, por ne patëm arsye të tjera për të dalë nga traktati, për shkak të kërcënimit të raketave me rreze të mesme të Kinës, të cilat gjithashtu kërcënojnë Rusinë shumë më tepër sesa kërcënojnë Shtetet e Bashkuara. Kështu që mendoj se ka interesa të përbashkëta strategjike, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me fuqinë në rritje ushtarake të Kinës, dhe kam pasur biseda me rusët për këto çështje. Mendoj se do të ketë edhe më shumë pika të përbashkëta.