Albin Kurtit mund t’i bësh plot vërejtje, por atë nuk mund ta fajësosh se pse po i fiton zgjedhjet. Atë nuk mund ta fajësosh për punët që ende s’ka filluar ti bëjë, sepse shumica e analistëve sillen e pështillen rreth Beligradit dhe Uashingtonit, duke pretenduar se më të rëndësishëm se votuesit kosovarë për formalizimin e fituesit në Prishtinë janë disa burokratë në Uashington dhe disa shovinistë në Beligrad
Nga Emin AZEMI
Procesi zgjedhor në Kosovë nxori disa fitues dhe disa humbës. Por fituesi më suprem doli votuesi kosovar. Kjo renditje e forcave postzgjedhore, tregoi se votuesi në Kosovë është një hap përpara kulturës së formimit edhe të vet partive politike. Votuesi në Kosovë madje po tregohet edhe më i pjekur se një dyzinë analistësh, të cilët paragjykimin e kanë bërë objekt analize, kurse animin partiak e kanë shndërru në zeje që i lë në lloç më keq se ai autobusi i prishur. Nga ato pak shëtitje virtuale që i bën njeriu nëpër studiot televizive, fiton përshtypje se para vetes nuk ka analistë por komisarë partish, të cilët kurrsesi nuk pajtohen me humbjen partisë. Është për të ardhur keq kur i dëgjon ata teksa flasin më tepër për rebelizmin e kaluar të Albin Kurtit se sa për programin e ardhshëm qeverisës të tij. Është për të ardhur keq se si ata nuk flasin për fitoren e Albin Kurtit por për gjoja populizmin e Vetëvendosjes.
Ky rezon që me çdo kush krijon analizë negative edhe përkundër rezultati pozitiv, flet për instilacionet mediatike që produkt primar kishin propagandën për partinë në pushtet dhe denigrimin e opozitarizmit të Albin Kurtit. Këtij të fundit mund t’i bësh plot vërejtje, por atë nuk mund ta fajësosh se pse po i fiton zgjedhjet. Atë nuk mund ta fajësosh për punët që ende s’ka filluar ti bëjë, sepse shumica e analistëve silleshin e pështilleshin rreth Beligradit dhe Uashingtonit, duke pretenduar se më të rëndësishëm se votuesit kosovarë për formalizimin e fituesit në Prishtinë janë disa burokratë në Uashington dhe disa shovinistë në Beligrad.
Kjo mendësia vazale është shumë problem. Sepse ata para se ta nxjerrin fjalën nga goja, e fusin një herë në motorin e përkthimit shqip-serbisht dhe nëse del që Albin Kurti është i padëshiruar në Beligrad, ai me automatizëm shpallet si dyshimt dhe madje jokooperues me Amerikën. Hajde mendje e tredht, hajde…
Inferioriteti për ti kushtuar kaq shumë rëndësi temave që lidhen me Serbinë, ka prodhuar manjakë që nuk i besojnë forcave të veta për të demonstruar guxim, dinjitet dhe përkushtim ndaj gjithë asaj që lidhet me shtetndërtimin mbi parimet e punës së ndershme, përfshi edhe çështjet e hapura me Serbinë.
Në këto zgjedhje u demonstrua një azhuritet i paparë i numërimit të votave nga ane KQZ. Prandaj lirisht mund të themi se bashkë me votuesit, edhe KQZ ishte një prej të fituarve në këtë proces final zgjedhor. Në një shtet ku menaxhimi i votave në fazën finale pas votimeve bëhet me profesionalizëm dhe etikë, aty liria dhe siguria marrin emrin sipas frymës që del nga ky menaxhim. Nuk pati nevojë për nervozë, nuk pati nevojë për mbushje kutish, nuk pati nevojë për muskuj dallkaukësh dhe nuk pati nevojë për pazare nate gjatë numërimit të votave. Të gjitha këto u eliminuan në saje të vetëdijes së votuesve, por edhe formimit qytetar e profesional të komisionarëve nëpër qendrat e votimit dhe të vetë anëtarëve të KQZ-së. Kjo pedanteri në mbarëvajtjen procesit zgjedhor i atribuohet edhe institucioneve ligjzbatuese – MPB-së, disa digasterëve ministrorë dhe gjithë infrastrukturës shtetërore.
Diaspora shqiptare, si gjithmonë, edhe kësaj radhe u radhit në anën duhur të proceseve. Si atëherë kur i përgjigjej me armë dhe financa kushtrimit për liri, edhe tani, diaspora shqiptare manifestoi përkushtimin e sinqertë për të ardhmen e atdheut të saj.
Prandaj edhe diaspora mund të llogaritet në taborin e të fituarve në këto zgjedhje.
Gara elektorale nxori këtë bilanc votimesh. Epërsia e Lëvizjes Vetëvendosje kundrejt partive të tjera ishte e pritur, por nuk ishte e pritur që Kadri Veseli aq shpejt do të del dhe do ta pranojë verdiktin e popullit. Nuk ishte pritur gjithashtu as nga koalicioni AAK-PSD të pësoi këtë fiasko kaq të thellë.
Diferenca e ngushtë në mes të LVV dhe LDK shpërfaqi disponimin real të elektoratit kosovar, ndërkohë që mbetet të analizohet se ku shkuan votat e AAK-së—PSD-së dhe koalicioneve të tjera joparimore, siç ishte psh. NISMA-AKR etj. Sipas një përshtypje sipërfaqësore i bie të kuptohet se një pjesë e madhe e votave të këtyre votave janë nda në dysh. Disa kanë përfundua tek VV, disa tek LDK.
Votuesi i pakënaqur kosovar kësaj radhe kishte dy oferta të shkëlqyeshme dhe ishte e pakuptimt të votohet ndryshe nga ajo çfarë ofrohej si zgjidhje për një të ardhme më të mirë.
Lidhja Demokratike e Kosovës kësaj radhe e ka shansin ta dëshmojë konstruktivitetin e saj, siç parapëlqejnë krerët e saj të nxjerrin në pah pikërisht këtë aspekt, duke dëshmuar një sens të lartë bashkëpunimi me përgjegjësi shtetërore për formimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve që do të udhëhiqen nga VV dhe LDK. Është në duart e LDK që procesi të mos devijojë nga kursi normal i filluar në këtë proces zgjedhor, por edhe një rast ideal për të shlyer disa njolla në politikbërjen e saj gjatë periudhave të caktuara në bashkëqeverisje me forcat tjera politike. Rugovizmi i LDK-së, aq shumë i proklamuar nga strukturat e kësaj partie, pikërisht tash duhet të vijë në shprehje, duke bërë bashkë traditën shtetformuese me elanin rinon për ndryshime rrënjësore…