Ky është Dorian Bulku. Ka vendosur të ndërmarr një sfidë të vështirë. Do të bëjë në këmbë gjithë Rrugën e Arbrit, nga Tirana deri në Dibër e cila është 72 kilometra.
Dori, pse ky vendim për të ecur në këmbë për mbi 70 kilometra?
“Që fëmijë jam rritur me atë ide Rruga e Arbrit, Rruga e Arbrit dhe m’u deshën të bëj 38 vjeç që të shoh këtë ëndërr të bëhet realitet e një Dibre, e një Mati e një pjesë të trungut shqiptar që nuk është më në trojet shqiptare”.
38 –vjeçarin dibran do ta shoqërojnë babai dhe disa miq.
Binak Ulaj 75 vjeç, është më i moshuari i grupit. Ka ardhur nga Mali i Zi , pasi ka një lidhje speciale me rrugën.
“Më gëzon fakti që po ndërtohet kjo rrugë për arsye se do i lidh trojet tona që janë vazhdimësi territoriale të atdheut tonë, një pjesë që për fat të keq e kemi pas të ndaluar që edhe ta vizitojmë”.
Që prej vitit 2008, projekti i Rrugës së Arbrit ka qenë gati, por punimet për të nisën në 2018, dhe firma kontraktore premton se në Pranverën e 2021 kjo rrugë do të jetë gati.
Grupi është i paduruar për të parë deri ku kanë arritur punimet për rrugën që do t’ua sjellë Tiranën shumë afër. Panorama nga kalon rruga është mahnitëse, aq sa të bën të harrosh edhe lodhjen nga terreni i vështirë malor.
“Lodhje s’mund ta quaj, sepse nuk na ra shumë të mendojmë për lodhjen duke shijuar gjithë këtë mrekulli të rrugës dhe lidhja ime me Rrugën e Arbrit është pak e dyfishtë sepse gjyshi nga mami ka qenë i deleguar i bankës në Postën Shqiptare dhe ai për shumë vite me radhë e ka bërë këtë rrugë dhe po perjetoja pak a shumë ato përjetimet e tij gjatë udhëtimeve që ai ka bërë”.
Dita e parë u mbyll me 34 kilometra. Natën e kaluan në krah të urës së vjetër të Vashës.
Ky grup është i pari që kaloi edhe mbi urën e re, më e rëndësishmja e këtij aksi që ngrihet mbi lumin Mat dhe ka një gjatësi prej 398 metrash.
Pas 17 orësh rrugëtim në këmbë, mbrëmja e ditës së dytë i gjen në Majtare të Dibrës, pika fundore e Rrugës se Arbrit.
Tre nga grupi shënojnë në mbyllje të këtij segmenti edhe një rekord të ri.