Në bllokun e partive shqiptare ka sinjale për koa*licion parazgjedhor. Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi deklaron se pavarësisht përbërjes së koalicionit, subjekti i tij është i interesuar për opsion fitues dhe se dora e tij e tij është e shtrirë për të gjitha subjektet që synojnë rrëzimin e BDI-së.
Unë mendoj se kemi kapacitet për koalicion. Ka shumë parakushte që shkojnë në favor të këtij kapaciteti. Unë kam shtrirë dorën e bashkëpunimit moti, nga ana tjetër ka sinjale pozitive dhe jam shumë optimist se do të ndodhë. Unë jam i mendimit të krijojmë opsion fitues. Pavarësisht se kush do të jetë në atë koalicion? Po, unë jam i mendimit që të kemi koalicion fitues – u shpreh Afrim Gashi, Kryetar i partisë Alternativa.
Gashi shton se në rast dështimi për koalicion, përgjegjësia për thellimin e dëshpërimit të qytetarëve do të t’i takojë të gjitha subjekteve.
Më 12 prill nëse nuk ndodh ndryshimi unë jam i bindur se edhe ajo pak shpresë që ka mbetur do të shuhet dhe shumë e më tepër qytetarë do ta braktisin vendin. Andaj fillimisht e ndjej si detyrim personal dhe partiak por edhe për qytetarët që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët – tha Afrim Gashi, Kryetar i partisë Alternativa.
Deklarata e Gashit në emisionin debativ “Rruga drejt” për dorën e zgjatur të bashkëpunimit vjen pak ditë pas thirrjes së liderit të ASH-së, Ziadin Sela për bashkëpunim mes Aleancës, Besës dhe Alternativës. Para Gashit, sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Skender Rexhepi kishte deklaruar se bashkëpunimi me Lëvizjen Besa nuk vjen në shprehje, ndërsa ai me Aleancën për Shqiptarët duhet të ndodhë. Kundrejt Selës dhe Gashit, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ftoi për bashkëpunim të gjitha subjektet politike, OJQ-të, intelektualët dhe diasporën, duke përjashtuar nga ky bashkëpunim vetëm BDI-në e cila deklarativisht është pro idesë për formimin e dy blloqeve politike shqiptare.
https://youtu.be/_UHeDgkapZY