Ndryshimi i emrave të dy shkollave fillore në Çair, “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov” në “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi” thuajse është lënë në harresë nga institucionet përgjegjëse. Përgjigjja e fundit për fatin e emrave të rinj erdhi vitin e kaluar nga Regjistri Qendror, Institucion i cili u shfajësua nga të gjitha akuzat se kjo e fundit ishte pengesë për emrat e rinj. Nga ky institucion u deklaruan me shkrim për Alsat se tashmë tre vjet të plota askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka shprehur interesim për të kuptuar më shumë se ku mbeti procedura e nisur për ndryshimin e emrave të shkollave në fjalë. Nga atje sqarojnë se procedura për ndryshimin e emrave të shkollave ishte përmbyllur kur Komisioni i ankesave në vitin 2016 kishte miratuar ankesën e ish zv ministrit të Arsimit, Spiro Ristovski për të shfuqizuar vendimin e ish ministrit të atëhershëm të Arsimit, Abdilaqim Ademi i cili kishte firmosur vendimin që i jepte dritë jeshile ndryshimit të emrave të dy shkollave në Çair.
Pavarësisht heshtjes disa vjeçare dhe gjendjes faktike, për Komunën e Çairit, çështja e emrave të Shkollave është akt i kryer. Nga atje nuk shpjegojnë nëse kanë ripërtërirë iniciativën, ndërsa Alsat mëson se udhëheqësit e shkollave në fjalë nuk kanë ripërtërirë asnjë dokumentacion që ka të bëj me fillimin e serishëm të procedurës për ndryshimin e emrave
Në këtë punë e llogarisim si akt të kryer veç më për arsye se vullnetin e tyre këshilli I shkollës e ka shprehur. Poashtu, edhe këshilli i komunës së Çairit në atë periudhë ka dhënë miratimin për këto emar të shkollave. Kuptohet se ne qëndrojmë në dispozicion të plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që këtë çështje ta zgjidhim sa më shpejtë që të jetë e mundur”-tha Kushtrim Alla, zëdhënës i Komunës Çair.
Shfajësohet edhe ministri i Arsimit Arbër Ademi. Ai thotë se nga Komuna në Ministrinë e Arsimit nuk ka arritur kërkesë për ndryshimin e emrave të shkollave në fjalë.
Nëqoftëse eventualisht vjen një kërkesë e tillë deri te unë sigurisht se një gjë e tillë do të marrë konfirmimin, pëlqimin nga ana ime. Kam kontaktuar me themeluesin, me kryetarin e komunës dhe se ka mbetur të shqyrtohet mundësia e regjistrimit të atyre statuteve që ndodhen para disa viteve në zyrat e regjistrit qendror por gjithashtu kemi diskutuar edhe për modalitete të tjera në drejtim të rrumbullakimit të kësaj çështje po dashur që ta politizojmë”-theksoi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
“Në hyrje të shkollave vazhdojnë të qëndrojnë tabelat me emrat jozyrtar të shkollave, pra “Ismail Qemali” dhe” Imri Elezi”. Ndërkohë, çdo komunikim zyrtar që bëjnë shkollat me institucionet përgjegjëse përdoren emrat e vjetër, “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov”.