Portugalia e Cristiano Ronaldos është skuadra e 17-të që siguroi një biletë për të marrë pjesë në fazën finale të Euro 2020.
Kampionët në fuqi të Europës plotësuan të gjitha pritshmëritë duke fituar 0-2 në transfertë ndaj Luksemburgut modest me Cristianon që ende nuk e arriti kuotën e 100 golave me përfaqësuesen luzitane por gjithsesi arriti të linte shenjë në këtë sfidë.
Bruno Fernandes u dha avantazhin portugezëve në minutën e 39-të ndërkohë që ylli i Juventusit mbylli llogaritë në minutën e 86-të me golin e 0-2 i 99-ti për të në karrierë me Portugalinë pasi për të kapur kuotën 100 i nevojitej një dygolësh.
Me këtë fitore skuadra e Fernando Santos ruajti vendin e dytë në grupin B me 17 pikë, 3 më shumë se Serbia që barazoi 2-2 ndaj Ukrainës në Beograd në një ndeshje pa spektatorë.
Tadic fillimisht me penallti dhe më pas Mitrovic kaluan dy herë në avantazh serbët por Yaremchuk dhe Besiedin në minutat shtesë i dhanë një pikë Ukrainës që ishte kualifikuar më herët dhe e mbylli grupin B në vendin e parë në kuotën e 20 pikëve.