Një lajm tragjik erdhi paraditen e djeshme nga Spitali i Traumës, ku u regjistrua viktima e 51-të nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në reanimacion, humbi jetën 20-vjeçarja Xhesika Biqiku, e cila prej tri ditësh ishte në gjendje kome, për shkak se kishte dëmtime të rënda në kokë nga rënia e tullave.
Ajo jetonte në një pallat në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku gjatë lëkundjeve, së bashku me familjen e saj ishin munduar të largoheshin nga apartamenti në katin e parë, por fati deshi që Xhesika të mos ia dilte dot. Xhesika sapo kishte nisur studimet për Arkeologji në Universitetin e Tiranës.
Në një thirrje përlotëse që babai i Xhesikës, Ilia Biqiku, bëri tri ditë më parë për “Report TV”, për trajtimin mjekësor të së bijës në Itali, ai tregoi se vajza u dëmtua kur po dilnin nga pallati.
Tullat nisën të bien nga kati i pestë, ku të gjithë morën dëmtime, por Xhesikës i ra një tullë në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në tru. Bashkë me zërin e dridhur dhe lutjet përlotëse për jetën e së bijës, babai rrëqethi kur tha se më mirë të kishte vdekur ai sesa vajza e vogël, teksa lëngonte ende në shtratin e spitalit.
“Nëse nuk do të isha penguar teksa dilnim, Xhesika do të kishte shpëtuar”, tha babai i 20-vjeçares. Xhesika 20-vjeçare është viktima e parë që shënohet nga dëmet prej tërmetit në qytetin e Tiranës. Ndërsa 50 jetët e tjera u këputën në mes nga dëmet e mëdha në Durrës dhe Thumanë të Fushë-Krujës ku pallatet e hotelet që morën jetën, u kthyen në gërmadha.
Ilia Biqiku, babai i 20-vjeçares Xhesika, që ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, i përlotur fliste për të bijën teksa lutej që ajo të shpëtonte dhe të bëhej mirë. Në momentin e tërmetit, ai ka qenë në shtëpi me gruan dhe dy vajzat, por kur kanë dalë jashtë, kanë rënë tullat e katit të pestë në Kombinat.
“Tullat zunë gruan të parën, pastaj çunin, pastaj Xhesin. Xhesi do të kishte shpëtuar, nëse unë nuk do të isha penguar. Unë u pengova aty dhe rashë nga tre metra larg. Aty tullat i kishin rënë gocës në kokë. Kur kthehem, i thërras gruas më tha nuk çohem më kanë rënë tullat, i them gocës tjetër, më kanë rënë tullat. I marr, dal pas pallatit, pastaj del një makinë, një çift, një djalë dhe një vajzë e re më çuan në spital direkt.
Xhesika ka dëmtime në kokë. Na kanë thënë se ka dëmtime në tru dhe ka çarje nga llamarina. Trurin e ka shumë të dëmtuar thanë mjekët. U thash çojeni në Itali, ju jeni ekspertë. Le të kisha vdekur unë, por ajo vajzë e re, 20 vjeçe. Pallati është i pabanueshëm, i ka vënë shirit bashkia. Është ndërtuar në ’72-shin. Kërkoj që të shkojë vajza në Itali të shërohet dhe të gjej një banesë, ndonjë shtëpi përdhese, që mos të vritemi më”, shprehej tri ditë më parë Ilia Biqiku.