Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, thotë se nisma për bashkërendimin e opozitës në zgjedhjet e 12 prillit është në rrugë të mbarë. Në intervistën e tij për gazetën LAJM, Sela, ka thënë se partia që drejton ai ka qëllime të sinqerta me këtë nismë, ndërsa ka porositur subjektet tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e bashkëpunimit që të jenë me këmbë në tokë. Sa i përket zërave për koalicionime parazgjedhore mes partive shqiptare me LSDM-në, ai ka thënë se për një gjë të tillë ende nuk ka ardhur koha. “Kjo do të ishte vulë tradhëtie”, është shprehur Sela. Ai ka përjashtuar zërat që në takimet me liderët shqiptarë të ketë biseduar për listat e kandidatëve për deputetë.
“Sa i përket Aleancës për Shqiptarët, ne çdo herë kemi qenë për t’i bashkuar forcat në mënyrë që të sjellim ndryshimin. Kjo është e vetmja formë që shqiptarët, të gjithë bashkë, të bëhen fitimtarë. Ka struktura brenda sistemit që vazhdimisht janë munduar ta ndajnë sa më tepër votën e shqiptarëve. Me këtë, duke ndarë sa më tepër votën e shqiptarëve humbet fuqia politike e subjekteve të shqiptarëve. Edhe në vitin 2016, Aleanca për Shqiptarët ka qenë pro idesë së bashkimit të gjithë spektrit opozitar të asaj kohe, fatkeqësisht nuk ndodhi. Ne tani përsëri jemi në drejtim të krijimit të një koalicioni që do të sjellë ndryshime. Shpresoj që kësaj radhë do t’ia dalim” u shpreh Sela për gazetën LAJM.
LAJM: Kur pritet të ndodh bashkëpunimi?
Sela: Ju do të jeni të informuar kur do të ndodh bashkëpunimi. Kohë ka. Ne nuk po bëjmë një bashkëpunim ilegal. Por, ne po bëjmë një bashkëpunim që do të jetë publik dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prandaj do të jetë i informuar gjithë opinion në momentin që ne do të arrijmë ta finalizojmë këtë bashkëpunim me Lëvizjen BESA dhe Alternativën. Besoj dhe shpresoj që shumë shpejtë do të jeni të informuar.
LAJM: A shihni gatishmëri te “BESA” dhe “Alternativa” për bashkëpunim?
Sela: Për këtë do të deklarohen ata vetë. Ne kemi gatishmërinë tonë. Unë mund të ju them vetëm kaq, që jemi në rrugë të mbarë që të arrihet një bashkëpunim. Mundohemi që të jemi me këmbë në tokë dhe është mirë që të gjithë që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij bashkëpunimi të jenë me këmbë në tokë në mënyrë që bashkëpunimi të arrihet.
LAJM: Ka zëra se disa parti shqiptare mund të lidhin koalicione parazgjedhore me LSDM-në, cili ështe qëndrimi juaj?
Sela: Nëse ka parti të tilla që vetëm e mendojnë një koalicion parazgjedhor me LSDM-në, rruga e mbarë ju qoftë. Nuk është ndonjë risi kjo për shqiptarët në Maqedoni, për shqiptarët në përgjithësi që kanë jetuar në ish-Jugosllavi. Zërat për çdo ditë duhet të shtohen se ato shqiptarët që janë bërë pjesë e subjekteve politike maqedonase pa apostrofuar ndonjërin dhe presioni ndaj tyre nga opinioni shqiptar duhet të jetë i madh që mos i’a kthejnë shpinën gjenit të tyre, sepse ne nuk e kemi realizuar vetën. Deklarata dhe sllogane të tipit “Shoqëri e përbashkët për të gjithë”, janë të rrejshëm sepse siç e kemi parë kohën e fundit, kufi na vendosen në Idrizovë e Çashkë për të mos u hapur shkollat shqipe. Situata që kemi edhe në sferën e arsimit në Maqedoni, ku kemi shumë shqiptarë që janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase, kjo assesi nuk ka krijuar kushte akoma që të bëhen koalicione të tilla. Prandaj them nëse ka dikush që vetëm mendjen e çon, rruga e mbarë i qoftë, por kjo është vulë tradhëtie, asgjë tjetër./Gazeta LAJM
Në videon më poshtë mund të ndiqni intervistën e plotë të kreut të ASH-së Ziadin Sela për gazetën LAJM.