Nuk ishin shumë, por ishin aq të tmerrshme ato 30 sekonda të 26 nëntorit, sa shkaktuan tragjedinë më të rëndë natyrore në të paktën 40 vitet e fundit.
Jetët e humbura ndoshta bënë gjumin më të keq të asaj nate, teksa prisnin të vijon rutinën e përditshme. Por, pas asaj që ndodhi Durrësi dhe Thumana i ngjajnë një fushëbeteje të denjë për luftë.
Dhjetëra godina të shkatërruar e shumë njerëz në kërkim të një strehe. Shumë të tjerë ndajnë dhimbjen për jetën e humbura e duan të rikthehen në banesat e tyre, me shpresën se ka mbetur ndonjë kujtim i bukur, që nëse nuk e gjejnë do mbetet pengu i tërë jetës.
Në sheshet e pallateve të shembur tashmë dëgjohen vetëm zhurmë të makinerive që po shembin atë çka mbeti, duke lënë nën rrënoja 24 jetë: fëmijë, burra e gra, të moshuar e familjarë që u ndanë nga kjo jetë në krahët e njëri-tjetrit.
Në rrugicat mes pallateve dëgjohen bisedat e atyre pak banorëve që kanë mbetur në Thumanë, të cilët fatmirësisht i mbijetuan lëkundjeve të fuqishme. Padiskutim që kryefjalë për ta është tërmeti, teksa duan informacion për ata që mbijetuan dhe për gjendjen e tyre shëndetësore mbi të gjiha.
Ka edhe nga ata që kërkon të jenë më të informuar mbi identitetin e viktimave. Në mesin e dhimbjes së papërshkueshme për jetët e humbura, Thumana, nën rrënojat e saj, përcolli me zë të fortë historitë e heronjve të heshtur të kësaj tragjedie, forcat e ekipeve të shpëtimit!
Mes rrënojave është daja ie Drita Cakonit, vajzës 15-vjeçare që humbi jetën së bashku me babain e saj, Kastriot Cakonin. Imazhin e tij e pamë ditën e tërmetit, kur i dëshpëruar me një pasaportë në dorë kërkonte të dinte për fatin e mbesës së tij, nëse ishte në spital apo në morg. Rrënojat nuk e kanë fshehur kujtimin e Dritës. Sot ai gjen librin e saj të preferuar “Princi dhe Varfëri”, dëftesat dhe fotografitë e 15-vjeçare, që ai e quan tashmë engjëllin e tij.
Një fotografi nga babai i saj i cili kishte humbur jetën disa ditë para tërmetit po e kërkon edhe Geralda Ceco. Deri më tani, nuk ka mundur të gjejë dot asgjë që për të do të ishte kujtimi i vetëm nga babai.
“Kam pasur në banesë motrën tetraplegjike, nënën që është invalide dhe gjyshen e moshuar. Kemi zbritur nëpër shkallë, dhe kur kemi zbritur ishte shembur kati i tretë dhe nuk mund të ngjiteshim më. I kemi bërë një kornizë. Shumë e vështirë për t’u gjetur”, shprehet Geralda. Edhe gjyshja me nipërit e saj, thotë se përveç jetës nuk ka më asgjë tjetër. “Çdo gjë na ka humbur, çdo gjë që kemi punuar gjithë jetën, ja ku janë”.