Një sistem që mund të parashikojë tërmetet, të paktën 4 orë para se ato të ndodhin, do të testohet në Universitetin Politeknik të Bukureshtit. Sistemi do të jetë në gjendje të zbulojë nivelin, intensitetin dhe epiqendrën e përafërt të tërmetit dhe do të testohet në rajonin e Vrançës, ka berë të ditur Mediafax.
Sistemi është ndërtuar nga kompania izraelite “Ionoterra”.
Sistemi është ende në fazën fillestare, por pas testimeve të para të zhvilluara në Turqi dhe Greqi ka rezultuar i sukseshëm. Në fazën e ardhshme,sistemi do të testohet në rajonin rumun të Vrançës, një prej zonave më aktive sizmike të Europës.
Sipas rektorit të Universitetit politeknik, sistemi do të vihet në punë në gjysmën e parë të vitit 2020, i cili pritet tu sigurojë autoriteteve informacione mbi tërmetet për të treguar në këtë mënyrë se si funksionon sistemi në praktikë.
Rektori thotë se prova do të realizohet edhe në Kaliforni.
“Sipas llogaritjeve të bëra nga Universiteti Politeknik, jemi të bindur se mund të kemi informacione të besueshme minimalisht 4 orë para së të ndodhë tërmeti. E përsëris, minimalisht 4 orë, pasi mund të jetë edhe më tepër”, tha Minea Costoiu, Rektor i Universitetit Politeknik të Rumanisë.
Kompania izraelite “Ionoterra”, e cila ndërtoi sistemin dhe e prezantoi atë zyrtarisht në Rumani ditën e premte, pretendon se paralajmërimet për tërmet mund të lëshohen 8 orë para se ai të ndodhë. Testet paraprake u zhvilluan në Greqinë lindore dhe Truqinë perëndimore, duke përdorur një sistem minimal parashikimi, dhe me një nivel suksesi prej 90%.
Nga 75 paralajmërime për tërmet që u lëshuan, 68 u konfirmuan nga Qendra Sizmologjike Mesdhetare Europiane me një magnitudë mesatare prej 2,58 i shkallës Rihter.
Duke marrë në konsideratë këto rezultate, “Ionoterra” vlerëson një saktësi prej mbi 97% parashikime, duke përdorur sistemin e plotë të monitorimit për tërmete mbi 4,5 të shkallës Rihter./abcnews.al