Banorët e dy zonave më të prekura nga tërmeti, në ish-Kënetë dhe Shkozet të Durrësit shprehen kundër fondit prej 2 milionë lekësh të premtuara nga Kryeministri për rindërtimin e shtëpive. Gazetari i Andi Qosja dhe grupi i xhirimit të “Abc News”, ishin sot pranë këtyre banorëve.
Ndue Filej është rikthyer edhe një herë në gërmadhat e ndërtesës së tij. Ai shprehet se dëmshpërblimi prej 2 milionë lekësh nga qeveria nuk mjafton as për të blerë hekurin për shtëpinë.
“Kjo shihet vetë, materialet brenda janë me vlerë 10 milionë lekë (të vjetra). Vetëm hekur i ka pasur brenda 20 milionë lekë kjo shtëpi”, shprehet ai.
Më tej, Filej shprehet se ka punuar 20 vite në Greqi për të ndërtuar shtëpinë, por tërmeti ia shembi për 20 sekonda.
Në të njëjtën gjendje janë edhe disa shtëpi në lagjen 13 në Shkozet.
Agim Marku me profesion mësues tani më është kthyer edhe në rojtar të banesës, pasi në zonë janë shtuar vjedhjet.
“Këtu kam qëndruar, por s’më është ofruar asnjeri për ndihmë. Kemi edhe frikë nga vjedhjet”, shprehet ai./abcnews.al/