Një minutë luajti djali nga Kosova ndeshjen e sotme, por nuk është një minutë si të tjerat. Leon Dajaku debutoi me fanellën e gjigantëve të futbollit europian, Bayernin e Mynihut.
Djaloshi 18 vjeçar i lindur në Waiblingen të Gjermanisë është një nga sulmuesit më premtues të të rinjve të ekipit bavarez, dhe sot ndaj ndeshjes së fituar me Wolfsburg pati fatin e veshjes së fanellës së ekipit të madh.
Dajaku zëvendësoi “yllin” Gnabry në fund të ndeshjes, pak pasi titullari i Kombëtares kishte shënuar golin e katërt për ekipin e tij.
Me të rinjtë e Bayern, Dajaku ka shënuar deri më tani 3 gola në sezon, por është e dukshme ambicia e tij për skena më të mëdha, ndërkohë që vetë ekipi e lavdëroi atë duke përshëndetur debutimin e tij në rrjetet sociale.
👏 Herzlichen Glückwunsch zum #FCBayern-Debüt, Leon #Dajaku! 👏#FCBWOB #MiaSanMia #FCBAmateure pic.twitter.com/r912hpCwrC
— FC Bayern Campus (@FCBjuniorteam) December 21, 2019
Tani mbetet të shihet edhe vendimmarrja e tij për përfaqësuesen. Aktualisht ai ka luajtur me Gjermaninë U-19, por shanset për Kosovën dhe vetë Shqipërinë nuk janë ende të zbehura për talentin.