Është koha e fundit që opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut të bashkohet dhe t’i jap grushtin e fundit Bashkimit Demokratik për Integrim duke e dërguar në opozitë. BDI është kancer i shoqërisë dhe se tashmë po vërën disponim të shqiptarët që të zgjedhin njerëz të tjerë për t’i përfaqësuar në institucione. LSDM nuk përjashton mundësinë që të negociojë para zgjedhjeve edhe me parti shqiptare. Kështu thotë ndër të tjera në një intervistë për KosovaPress, Muhamed Zekiri, nënkryetar i LSDM-së.
Zekiri është një prej kritikuesve më të mëdhenj të koalicionit me BDI-në. Konsideron se partneri i koalicionit qeverisës, BDI mban fajin aq sa VMRO-DPMNE për 12 vjet keqqeverisje.
Zekiri: BDI është kancer i shoqërisë në Maqedoninë e Veriut
“BDI është kancer i shoqërisë në Maqedoninë e Veriut. Pse e them këtë, shkaku se nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë dhe nuk ka ofruar diçka të re për qytetarët dhe qytetarët e dinë këtë. Ai është subjekti politik i cili do të mbahet mend në historinë e vendit i cili ka humbur 50% të elektoratit brenda vetëm dy viteve, nga 20 deputetë tani janë vetëm 10 në këtë përbërje, falë përçarjes që kishte me partitë opozitare shqiptare”, thotë ai.
I pyetur se a do të vazhdojë koalicioni i LSDM-së me BDI-në, edhe pas 3 janarit kur pritet të votohet qeveria teknike, dhe a ka mundësi për koalicion edhe pas zgjedhjeve të 12 prillit, Zekiri thotë se ai personalisht është kundër një koalicioni me këtë subjekt politik.
Megjithatë, thotë se qytetarët me votën e tyre, do të vendosin se cilat parti do të udhëheqin me vendin pas zgjedhjeve të 12 prillit.
Zekiri: Raportet me BDI-në nuk janë edhe aq të mira aktualisht
“Raportet nuk janë edhe të mira edhe për momentin kur ne po flasim, kemi një propozim ligj që është propozuar diku para dy javësh që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, dhe jo siç është tani gjashtë njësi zgjedhore, paramendoni edhe pse janë partner koalicioni, edhe pse e dinin se ne e kishim si premtim parazgjedhor në 2016-ën, ata bashkuan forcat me partinë opozitare VMRO-DPMNE dhe në komisionet parlamentare këtu, kanë propozuar mbi 12 mijë amandamente bashkërisht vetëm për të bllokuar miratimin e Kodit të ri Zgjedhor që parashihte që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, me pretekstin se me një njësi zgjedhore shqiptarët do të humbnin tetë deri në dhjetë deputetë, që absolutisht nuk qëndron si argument”, tha ai.
Deputeti i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut thotë se ligji i propozuar nuk parasheh prag zgjedhor dhe me një sistem të tillë zgjedhor shqiptarët vetëm sa mund të fitojnë por humb BDI.
Sipas tij, tashmë të qytetarët vërehet disponim për të përkrahur parti tjera shqiptare e jo BDI-në, që siç thotë ai është dëshpërim i qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Zekiri: Shqiptarët duan të zgjedhin përfaqësues të tjerë, jo BDI-në
“Duke e parë situatën në teren e shoh se disponimi është që shqiptarët të zgjedhin përfaqësues të tjerë e jo BDI t’i përfaqësojë në pushtet. Është parti e cila mbi 17 vite është në pushtet, që nuk i ka ndodhur ndonjë subjekti politik deri tani dhe dëshpërimi i qytetarëve, posaçërisht shqiptarë ndaj BDI-së është shumë i madh… Tani është koha e fundit që qytetarët dhe vet opozita shqiptare të kthjellët, të bashkohet, dhe nëse mund të thuhet simbolikisht, t’i jep grushtin e fundit BDI-së dhe BDI të përfundojë në opozitë”, thotë ai.
Nënkryetari i partisë që udhëhiqet nga kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, thotë se kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e 12 prillit, është formuar shtabi zgjedhor dhe organet e partisë LSDM-së, janë të fokusuara në këtë drejtim ku po mbahen edhe shumë takime me qytetarë.
Ai thotë se është herët të flasë për ndonjë koalicion të mundshëm, veçse thekson mundësinë për bashkëpunim parazgjedhor edhe me parti shqiptare.
Zekiri: Nuk përjashtohet mundësia për koalicion parazgjedhor me parti shqiptare
“Ne jemi të hapur për bashkëpunim me subjektet politike, të gjitha, kushtimisht thënë të gjitha, e them këtë pasi që ka disa parti që janë në skenën politike në vend me të cilët nuk na lidhë asgjë, mirëpo jemi të hapur për bashkëpunim me subjektet e tjera me të cilët kemi koncepte të ngjashme. Është herët për të diskutuar për koalicionet e mundshme shkaku se ka kohë, shpresoj që këto bisedimet do të intensifikohen pas festave, në fillim të muajit shkurt, para shpërbërjes së Parlamentit, ose pas shpërbërjes së Parlamentit, do të duhet të çelën kartat dhe të dimë kush me kë do të shkojë në zgjedhje…Nuk përjashtohet mundësia që të kemi bashkëpunim parazgjedhor edhe me subjekte politike shqiptare”, thotë ai.
Ai thotë se në zgjedhjet e 12 prillit shqiptarët do të kenë vendin e merituar në LSDM, ku sipas tij, në listat zgjedhore do të ketë më shumë shqiptarë se në vitin 2016.
Sipas Zekirit, në Maqedoninë e Veriut nuk ka diskriminim për shqiptarët dhe e vetmja gjë që ka ngelur pa u zgjidhur janë disa raste të montuara, ku ka shqiptarë të pafajshëm që qëndrojnë në burg.
Sipas tij, mos-funksionimi i shtetit të së drejtës në Maqedoninë e Veriut kërkon zgjidhje të menjëhershme.
Deputeti shqiptar thotë se zgjedhjet e 12 prillit do të gjejnë vendin si anëtar i plotfuqishëm në NATO, marrë parasysh që tashmë është formuar edhe Qeveria e Spanjës, vend ky i fundit që duhet të ratifikoje protokollin e anëtarësimit.
Sipas Zeqirit, kjo do të përfundojë deri në fund të muajit janar dhe pastaj para shpërndarjes së Parlamentit në Maqedoninë e veriut, që pritet të bëhet kah mesi i muajit shkurt, do të ratifikohet protokolli për anëtarësim në NATO.
Kujtojmë se pas dështimit në marrjen e datës për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, politikanët në Maqedoninë e Veriut u pajtuan që vendi të shkojë në zgjedhje më 12 prill të vitit 2020.
Në fillim të janarit pritet të votohet Qeveria Teknike e cila do të veprojë 100 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
Në tre vitet e fundit vendi ka kaluar në disa cikle zgjedhore, ku janë mbajtur zgjedhjet lokale, pastaj referendumi për çështjen e emrit dhe zgjedhjet presidenciale.