Dëshmitë janë rrënqethëse. Jo vetëm të gruas së dhunuar, por edhe të infermieres dëshmitare. Si rrallë me veprimet e tjera hetimore, për rastin e Besim Ballës, i akuzuar për dhunë në familje, prokuroria i ka mbyllur hetimet në kohë rekord. Burri gjendet në paraburgim ndërkohë që veç dëshmive që iu referohet prokurori Bajram Breçani disponohen edhe aktekspertiza që përshkruajnë dhunën në trupin e gruas.
D. Sinameta nga fshati Gosë, e moshës 26 vjeç është gruaja fatkqe që u martua me shkuesi dhe që i kaloi dy herë fare pranë vdekjes. Gruaja i rrëfen prokurorit në dosjen që gazeta “Si” disponon se ka bashkëjetuar me burrin e dhunshëm nga vitet 2010 deri në vitin 2015. Fillimisht gruaja është ndarë nga partneri me të cilin ka dy fëmijë për shkak të dhunës edhe ndaj fëmijës së tyre katër muajsh. Për këtë ngjarje kujton akuza, Besim Balla është arrestuar dhe ka kryer 14 muaj burgim. “Me shpresën se burgu e kishte ndryshuar, unë u bashkova sërish me të”, tregon më tej ajo, e cila pas problemeve të vazhdueshme me 35-vjeçarin më në fund i ka sosur durimi dhe është larguar prej tij.
Në fashikullin që gazeta “Si” posedon i sillet në vemendje gjykatës dëshmia e dhënë nga gruaja e torturuar.
26 vjeçarja: Rreth orës 2.30 minuta isha duke fjetur bashkë me fëmijët e mi. Në shtëpi gjendej edhe ime më. Besimi hyri nga kati i dytë i ndërtesës, ngrohu qumështin dhe erdhi ma hodhi në trup. Më shkaktoi djegie. Ai filloi të më godasë më pas me shkelma dhe grushte në trup e fytyrë. Pastaj qëlloi edhe nënën dhe u largua.
Prokuroria shton në dosjen që gazeta “Si” disponon se gruaja është përcjellë në repartin e djegie-plastikës për shkak të plagëve të shumta.
Por nuk ka mjaftuar kaq. Në të njëjtën ditë, ish-partneri ka hyrë në spitalin e djegie-plastikës. Gruaja ka kërkuar ndihmë, ndërkohë që 35 vjeçari ka tentuar ta mbysë me çarçaf.
Prokuroria sikurse mëson zyrtarisht gazeta “Si” përcjell në fashikull edhe dëshminë e infermieres së gatshme, Zerina Kllogjeri. Dëshmitarja okulare nënvizon:
Kllogjeri: Shkova në dhomën numër tre sapo mora turnin, pasi më thanë se aty gjendej një paciente e djegur. E pyeta pacienten çfarë të ka ndodhur? Tha se e kishte djegur burri. Në këtë kohë nga dritarja e dhomës pashë një person me trup të shkurtër, i veshur me kostum sportiv. Pacientja bërtiti “është ish-burri, njofto policinë”. Shtetasi në fjalë sapo hyri brenda, iu hodh sipër pacientes dhe filloi ta godasë. Pasi kërkova ndihmë, personi në fjalë doli nga pavioni në korridor dhe pastaj u hodh nga dritarja.
Gra që falin dhe burra që nuk ndryshojnë
Por, ndërsa Dallëndyshja është e vendosur që ta mbajë ish-burrin në qeli, si edhe e vendosur të vazhdojë përpara, ndryshe ka vepruar një vajzë e re. Ajo edhe pse e denoncoi vetë ish të dashurin për dhunë e më tej për përndjekje, më pas u pendua dhe iu lut gjykatës që ta lironin pasi “mes tyre kishte dashuri”. Nga materialet e sigurta të gazetës “Si” rezulton se Pamela Sh. e moshës 22 vjeç u njoh me Klevis S. dhe pati një raport me të prej katër muajsh. Por edhe pse ai rezultoi i martuar, sherret mes dy partnerëve nuk nisën për këtë fakt, por për shkak të dhunës. Pamela i tregon policisë në kallëzimin që gazeta “Si” po e zbardh ekskluzivisht.
Pamela: Kam pasur lidhje me Klevisin, por për momentin nuk e vazhdoj më. Kohët e fundit ai u bë i dhunshëm ndaj meje dhe shpeshherë më qëllonte në pjesë të ndryshme të trupit. Unë kam pasur lidhje intime me të, sepse kujtoja se ishte njeri por pas disa kohësh lidhje, ai filloi të bëhej xheloz dhe nuk durohej më. Vendosa të shkëputem prej tij. Realisht nuk kisha guxim t’ia thoja, pasi kisha frikë, ndaj mendova ta largoj në heshtje. Në mes të dhjetorit isha në shtëpi dhe më mori në telefon dhe më tha “dil nga shtëpia po ta mbajti, nuk shkëputesh dot nga unë”. Më tha shumë fjalë të pista. Qëndroi për afër dy orë poshtë shtëpisë, më merrte në telefon, më kërcënonte. Me Klevisin kam pasur momente të këqija të dhunshme. Herën e fundit, ai më rrahu në afëri të shtëpisë së tij, më goditi me grushte, më bëri me shenja në trup dhe në shpatull. Kisha frikë ta denoncoja sepse më kërcënoi me jetë mua dhe nënën time. Më dërgoi mesazhe dhe më kërcënoi se do përdorë fotot e mia në rrjetet sociale në rast se e lija.
Policia: Na tregoni veprimet konkrete që ka kryer Klevisi?
Pamela: Më goditi me grushte poshtë shtëpisë, ngado.
Policia: A ka abuzuar me ju seksualisht Klevisi?
Pamela: Jo, në kohën kur ndenja me të qëndrova me dëshirën time. Së fundmi qëndroja me të nga frika. Sot komunikova në messenger dhe më kërcënoi.
Por, pas këqyrjes nga ekspertët, të cilët konstatuan hematoma në trup si edhe pasi administruan kërcënimet në rrjetet sociale, kallëzuesja u tërhoq nga denoncimi. Kjo solli lirimin e menjëhershëm të të dyshuarit, i cili qëndroi pak orë në paraburgim. Vajza argumentoi se ishin të dy xhelozë, si partneri edhe ajo ishte xheloze për gruan e partnerit. Ndërkohë që i dyshuari i tregon policisë.
Klevis: Me Pamelën kam lidhje shpirtërore dhe lidhja është serioze. Për shkak të saj po divorcohem me bashkëshorten, me të cilën jam në proces gjyqësor. Nga kjo martesë kam një fëmijë në moshën pesëvjeçare. Kërcënimet në telefon dhe sharjet janë në gjaknxehtësi e sipër pasi Pamela s’po më hapte telefonin. Ndërsa dhunë jo, nuk e kam rrahur ndonjëherë.