Shtetet e Bashkuara kanë hedhur akuza të drejtpërdrejt kundër katër ushtarakëve kinezë për një sulm kibernetik kundër gjigantit amerikan të vlerësimit të kredive, Equifax.
Sipas BBC thuhet se nga ky sulm janë prekur mbi 147 milionë amerikanë në vitin 2017. Ishin disa hakera që sulmuan këtë kompani duke vjedhur të dhëna të ndjeshme personale, përfshirë emra dhe adresa. Por jo vetëm amerikanët pasi nga sulmi e kanë pësuar edhe qindra persona nga Kanadaja dhe Britania e Madhe.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe prokurorit i përgjithshëm amerikan William Barr i cili ka bërë përgjegjës katër ushtarakët nga Kina duke e përshkruar sulmin e hakerëve si “një nga shkeljet më të mëdha të të dhënave në histori”.
“Ka qenë një ndërhyrje e qëllimshme dhe gjithëpërfshirëse në informacionet private të popullit amerikan”, tha ai.
Sipas dokumenteve të gjykatës, katër të akuzuarit janë anëtarë të Institutit 54 të Kërkimeve në Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës. Ata kanë kaluar javë të tëra në sistemin e kompanisë Equifax, duke vjedhur të dhëna personale, thuhet në dokumente.
Grupi gjithashtu akuzohet për vjedhje të sekreteve tregtare, përfshirë përpilimin e të dhënave dhe modelin e bazës së të dhënave. Për sa i përket Kinës, nuk i ka komentuar ende akuzat. Këto akuza të SHBA ndaj Kinës vijnë në një kohë ku kjo e fundit po përballet me një krizë ekonomike pas gjunjëzimit nga koronavirusi.
Firma e vlerësimit të kredisë, Equifax, mban të dhëna për më shumë se 820 milionë konsumatorë, si dhe informacione për 91 milionë biznese.