Tirana kryeqytet ka njohur një rritje dhe një zgjerim eksponencial në 100 vite, dhe ky zgjerim vihet re më së miri në aspektin demografik.
Mjafton të shohim 20 vitet e fundit për të kuptuar ndryshimin real, dhe fatkeqësisht, hendekun e madh të Tiranës me pjesën tjetër të qyteteve. Në vitin 2001, sipas të dhënave zyrtare, popullsia e Tiranës fiksohej në 596 mijë individë, ndërsa në 2019, në 895 mijë të tillë, pra një rritje me thuajse 300 mijë banorë, në masën 50%.
Kjo rritje drastike vjen në një kohë që këto 20 vite, popullsia e Shqipërisë pakësohej, pra Tirana rezulton në kah tërësisht të kundërt me lëvizjet demografike në rang republike. Kjo vjen kryesisht si rrjedhojë e faktit që në 20 vite është rritur ndjeshëm tendenca për të ardhur në kryeqytet, duke reflektuar edhe rritjen e peshës ekonomike të Tiranës. Krahasuar me vitin 1990 ndërkohë, kur popullsia e Tiranës ishte rreth 250 mijë banorë, rritja fiksohet në masën 258%, pra rritur me më shumë se 2.5 herë.
Në vitin 1920 ndërkohë, kur Tirana shpallej kryeqytet i Shqipërisë, paçka se nuk ka të dhëna zyrtare, burime të ndryshme flasin për një popullsi mes 40 dhe 50 mijë banorësh. Kjo do të thotë se në 100 vite kryeqytet, popullsia e Tiranës është rritur me thuajse 17 herë, në masën 1700%.(scan)