Ballina Aktualitet Kalaja e Tetovës, e braktisur nga institucionet

Kalaja e Tetovës, e braktisur nga institucionet

Kalaja e Tetovës, një nga monumentet me rëndësi të veçantë kulturore e historike për rajonin e Pollogut dhe më gjerë vazhdon të mbetet e braktisur nga institucionet që duhet të kujdesen për mirëmbajtjen e saj. Pa ndriçim, me mure të rrënuara, pa infrastrukturë adekuate ajo është shndërruar në një deponi ku vizitorët e vetëm janë qentë endacakë, që rrezikojnë jetën e atyre pak njerëzve që marrin guximin të futen në brendësinë e saj. Sikur edhe në të kaluarën, edhe tani institucionet ankohen për mungesë fondesh duke ia hedhur fajin njëra tjetrës, por e vërteta është të njëjtave u mungojnë edhe projektet konkrete për mirëmbajtjen e saj. Për këtë gjendje fajësojnë edhe Ministrinë e Kulturës.

Ne si Institucion nacional nuk kemi marrë mjete për restaurimin apo realizim të punimeve në Kalanë e Tetovës- thotë Miqo Stojçeski, drejtor i Arkivit të qytetit.

Obligimet nuk i ka kryer as Qendra për konservim të monumenteve historike. Edhe drejtuesit e kësaj qendre ankohen për mungesës së mjeteve. Restaurimi i murit në hyrje të Kalasë nisi në vitin 2014, por që atëherë, e deri më sot ky projekt nuk ka përfunduar.

Nga 2015 deri më tani, në realizim e sipër është faza e tretë. Vitin e kaluar nga programi i Ministrisë së kulturës kemi pasur të ndara 800 000 denarë. Dy herë hapëm tenderin dy herë dështoi sepse nuk konkurronte asnjë firmë dhe pastaj siguruam edhe 200.000 den tjera që u bënë një milion. Këtë vit presim përmirësimin e kushteve klimatike që të vazhdojmë me fazën e tretë- pohoi Memet Selmani. Drejtor i QNK.

Por, nga Ministria e kulturës hedhin poshtë pohimet e këtyre institucioneve.

MINISTRIA E KULTURËS

“Në vitin 2019 për projektin Mbrojtje e drejtpërdrejt, konservim, sanim, rinovim të portës hyrëse në lokalitetin arkeologjik në kalanë e Tetovës, Bal-Tepe, Tetovë, faza e tretë ishin ndarë 900.000.00 denarë, të cilat akoma nuk janë shfrytëzuar nga institucionet kompetente për qëllime objektive. Për vitin 2020 IN Qendra Nacionale e Konservimit-Shkup, ka buxhet të deleguar dhe në kuadër të të njëjtit, ky institucion do të vendosë cilët projekte dhe me çfarë shume do ti realizojnë gjatë vitit 2020.

Në kalanë e Tetovës, mungon edhe mirëmbajtja dhe ndriçimi i saj. Kryetarja e komunës së Tetovës, edhe pse është përgjegjëse për mirëmbajtjen e Kalasë, thotë se pret nga institucionet tjera që të bëjnë projekte për kalanë.

 Deri më tani nuk është kërkuar nga ne që të bëjmë ndonjë projektim leje apo ç’farëdo qoftë mirëpo dua që të them  se komuna e Tetovës, nëse ka interesim dhe mundësi të asaj natyre është jashtëzakonisht e gatshme që të bëj pjesën e vete të punës- tha Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës.

Në gjendje të këtillë të mjerueshme Kalaja e Tetovës është për vite me radhë. Ajo asnjëherë nuk është rinovuar përkundër premtimeve të mëdha të partive politike të cilat në çdo cikël zgjedhore e përfshijnë në programet e tyre partiake, por me përfundimin e zgjedhjeve përfundojnë edhe premtimet për Kalanë e Tetovës, e cila mbetet në errësirë dhe me vizitorët e vetëm, qentë endacakë që rrezikojnë edhe jetën e ndonjë kalimtari të rastit.