Një punonjës i një kompanie amerikane në Miluoki vrau 5 kolegë dhe më pas veten, pasi më parë gjatë ditës e kishin pushuar nga puna. CEO i kompanisë, Gavin Hattersley, tha se 51-vjeçari ishte punonjës në sektorin e prodhimit të birrave.
Pasi ishte pushuar nga puna, ai ishte kthyer në godinë me një armë me silenciator dhe kishte hapur zjarr drejt kolegëve.
Sipas hetimeve paraprake, besohet se ka vjedhur kartën e identifikimit në punë të një punonjësi tjetër dhe ka arritur të futet brenda godinës.
CEO i kompanisë tha gjithashtu se, prodhimi ishte ndërprerë për një afat të pacaktuar, deri sa të gjithë të merrnin veten nga kjo fatkeqësi.
Në kompleksin e godinave, ku kishte edhe zyra përveç fabrikës së prodhimit të birrës, punojnë rreth 1000 persona.