Bayern Munchen shkatërroi Hoffenheim 6-0 në javën e 24-t të Bundesliga-s, në një ndeshje pa shumë histori, ku bavarezët dominuan totalisht. Por ajo që duhet të ishte një festë futbolli u kthye në një shfaqje të shëmtuar, kur ndeshja u ndërpre për disa minuta nga arbitri për shkak të parullave të pahijshme të tifozëve të Bayern, ndaj pronarit të Hoffenheim, Dietmar Hopp. Me t’u rikthyer në fushë, lojtarët e të dy skuadrave qëndruan në mes të saj dhe i pasonin njëri-tjetrin për ato pak minuta që kishin mbetur nga ndeshja.
Bayern e hapi serinë e golave që në të 2’, kur Serge Gnabry realizoi bukur pas krosimit të Thomas Muller. 5 minuta më pas Joshua Kimmich godet saktë nga jashtë zone duke dyfishuar epërsinë për miqtë. Në të 15. Ishte radha e të riut Zirkzee, i cili zëvendësonte të dëmtuarin Lewandowski në këtë ndeshje, për të realizuar golin e tretë, nga fare pranë portës. Në të 33’ Coutinho shënon edhe golin e katërt për Bayern, ndërsa Thomas Muller dhe Leon Goretzka plotësojnë rezultatin tenistik në pjesën e dytë. Bayern, tashmë në kuotën e 52 pikëve në krye të renditjes, bëhet kështu skuadra e parë në historinë e kampionatit gjerman që shënon minimumi 3 gola në 5 ndeshje radhazi jashtë fushës së vet.
Edhe pse me pak vështirësi, Borussia Dortmund arriti të fitojë Freiburg, me rezultat minimal. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Jadon Sancho, që në të 15’. Rezultati lejon Dortmund të barazojë me pikë Leipzig (48) e cila të dielën pret në fushën e vet Bayer Leverkusen në një ndeshje që premton emocione.