Gjykata e Përmetit ka dhënë masën e sigurisë për botuesin Henri Çili, i cili është mes 30 të arrestuarve të operacionit “Mezhgorani”.
Gjykata e ka lënë të lirë Çilin duke vendosur masën “detyrim paraqitje”.
Henri Çili akuzohet nga Prokuroria e Përmetit për “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.
Për drejtorin juridik të Universitetit Europian të Tiranës, Ilir Korbin, gjykata ka dhënë masën “arrest shtëpie”. Për noteren Shpresa Gjocaj gjykata ka vendosur masën “detyrim paraqitje”.
Eshte zbardhur mbrojtja e botuesit Henri Çili në Gjykatën ku lidhur me përgjimet të cilat e kanë implikuar në këtë çështje ka thënë se ka në pronësi një studio ligjore për ndërmjetësime, përfaqësime lobuese dhe gjyqësore.
Avokati mbrojtës i tij Ardian Visha është shprehur se çështja është ndërtuar mbi mungesë kompetence juridiksioni.
Sipas tij akuzat për mashtrim dhe ndikim të paligjshëm nuk qëndrojnë të dyja bashkë pasi kjo e dyta nuk mund t’i atribuohet Henri Çilit pasi është pronar i një studioje ligjore.
Më tej Ardian Visha akuzon si të paligjshme veprimet e prokurorit dhe vendimet e Gjykatës së Përmetit.