BDI-ja nuk heq dorë nga retorika se LSDM-ja dhe BESA kanë bërë koalicion parazgjedhor joparimor për të mbijetuar në skenën politike. Pas porosive të Zaevit se nuk do të lejojë asnjë shantazh për formimin e mundshëm të qeverisë, BDI-ja thotë se është e vërtetë që ata kanë shantazhuar, por gjithnjë në interes të qytetarëve.
Kohët e fundit flitet për një lloj shantazhi të bërë nga BDI-ja ndaj partive politike maqedonase, madje tani të dy partitë politike maqedonase bëjnë thirrje tek qytetarët për 61 deputet që BDI-ja të mos i shantazhojë në qeverinë e ardhshme. Nëse shantazh është nevoja për zgjidhjen e emrit dhe hapjen e rrugës drejt NATO-s, nëse shantazh është nevoja për nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë, nëse shantazh është nevoja e sjelljes së Ligjit të gjuhëve që të relaksohen marrëdhëniet ndëretnike- po, BDI shantazhoi, por asnjëherë për vete, për partinë, por çdoherë për interesat e qytetarëve”-tha Bujar Osmani – zëdhënës i BDI-së.
Nga LSDM-ja nuk i komentojnë këto merita që Osmani ia përshkruan BDI-së. Për koalicioni me Lëvizjen BESA, shprehen se do të sjellë politika të mira.
Është krejt legjitime që BDI të ketë qëndrim politik rreth koalicionit mes LSDM-së dhe BESËS, por ju siguroj që nuk është bërë në bazë jo-parimore, por se do të ndërtohet mbi politika që do të sjellin jetë më të mirë për qytetarët dhe kushte më të mira për punë dhe biznes në vendin tonë”-pohoi Kirill Kolemishevski, LSDM.
Megjithatë, edhe krahas retorikës së ashpërsuar parazgjedhore, as BDI as LSDM nuk e përjashtojnë mundësi që nëse fitojnë, sërish bashkë të formojnë koalicion qeveritar.