Ballina Aktualitet Kultura POEZIA LIRIKE ANTIKE GREKE

POEZIA LIRIKE ANTIKE GREKE

Nga Xhelal Zejneli

Poezia lirike lindi dhe u zhvillua në shekujt VII dhe VI para K. Është koha kur në gjirin e rendit të aristokracisë fisnore u poqën elementet e shoqërisë skllavopronare. Ndryshimet sollën shkatërrimin e mbretërive, dikur të fuqishme, të epokës heroike që këndoi “Iliada” dhe “Odisea”. Mbretëritëu fikën njëra pas tjetrës për t’i lënë vendin lindjes së një shoqërie të re me qytetarë të lirë dhe me skllevër. U rritën qytetet (poliset). Lidhjet e vjetra fisnore u shkatërruan, ndërsa vendin e tyre e zuri një shoqëri e re, e organizuar në shtet. Ndryshimet erdhën pas një lufte të gjatë ndërmjet popullit (demosit) dhe fisnikëve të lashtë. Kjo përplasje, në historinë e Greqisë ka hyrë si luftë midis demokracisë dhe aristokracisë

            Ndryshimet ekonomike në shekujt VII dhe VI para K. sollën në shoqërinë greke interesa të reja që u pasqyruan në mënyrën e shprehjes së ndjenjave dhe të mendimeve. Në vend të paraqitjes në poezi të hyjnive dhe të heronjvetë idealizuar, vendin kryesor tani e zë njeriu me hallet dhe gëzime e tij, me dashuritë, me urrejtjet dhe me shqetësimet e jetës së përditshme.  

            Në këto rrethana të reja, kërkohej dhe një art i ri që do ta paraqiste botën e brendshme të njeriut me drithërimat dhe klithmat e qenies së tij. Të gjitha këto, gjetën shprehje në një lloj letrar të ri, në poezinë lirike.

Fjala lirikë vjen nga greqishtja lira që do të thotë vegël muzikore me tela, që shoqëronte këngën e poetit, i cili shpesh i përcillte vargjet edhe me lëvizje të trupit apo me valle. Sipas mënyrës së të kënduarit të këngës, dallojmë lirikën monodike që këndohet vetëm nga një njeri dhe lirikën korale që këndohet nga një grup njerëzish.

            Rruga nga poezia epikepoezinë lirike ka qenë e gjatë. Poezia lirike, si poezi subjektive, që shpreh ndjenjat dhe mendimet e poetit, njihej edhe më parë në fisin e akejve. Këtë e dëshmojnë poemat e Homerit. Kur ai e përshkruan në “Iliadë” mburojën e Akilit, tregon figurën e një fëmije që “i binte ëmbël qestes dhe lehtë me zë, këngën e Linit merrte”. Është një këngë e trishtuar që vajton vdekjen e fëmijës Lin. Elemente lirike hasim edhe në vajtimet e Andromakës dhe të Hekubës mbi kufomën e Hektorit, në përshkrimet e natyrës, të emocioneve të heronjve etj. Por, poezia lirike si gjini letrare më vete u zhvillua vetëm kur u krijuan rrethana shoqërore të përshtatshme.

            Shekujt VII, VI dhe gjysma e parë e shekullit V nxorën poetë të mëdhenj lirikë, të cilët në vargjet e tyre i kënduan pasionet e vrullshme politike e shoqërore, ndjenjat e thella e të brishta të dashurisë, të dhimbjes, virtytin e urtësinë, natyrën në të gjitha dridhmat dhe në vezullimet e bukurisë së saj.

*   *   *

POETËT E PARË LIRIKË – Poetë të parë lirikë të Greqisë së lashtë ishin Terpandri, Arioni, Tirteu, Soloni etj. Në vargjet e tyre tingëllon e fuqishme tema e mbrojtjes së atdheut, thirrja e qytetarëve për të luftuar me trimëri, pa iu trembur vdekjes. (Gjergj Fishtën,për lirikat e tij, kritika letraree ka quajtur Tirteu shqiptar).

Poetët antikë krijuan edhe poezi lirike me përmbajtje didaktike që bëjnë thirrje për veprime të mira dhe të virtytshme, për dashurinë ndaj së vërtetës dhe drejtësisë dhe për nderimin dhe bindjen ndaj ligjeve të shtetit. Në shumë poezi u këndohet ndjenjave intime siç është ajo e miqësisë, e dashurisë, e dhembjes për rrjedhën e shpejtë të kohës dhe për rininë që shket pa e kuptuar, ndërsa vendin e saj e zë pleqëria. Së këndejmi tingëllon e fortë thirrja për ta gëzuar jetën.

Lirika monodike – Poezia lirike monodike njohu zhvillim të madh te fisi i eolëve, sidomos në ishullin Lesbos. Prej këtu ishin poetët e lashtë Terpandri dhe Arioni, i cili i takon jo vetëm historisë por edhe legjendës. Babai i historisë antike, Herodoti (Herodotos Halikarnesseus, 848-424) tregon sesi Arioni, duke udhëtuar nëpër det nga Taranti për në Korinth, është kërcënuar nga piratët. Poeti këndoi një këngë me qesten e tij dhe, për të mos rënë në duart e tyre, u hodh në det. Një delfin, i prekur nga tingujt e këngës, e mori poetin mbi shpinë dhe e çoi në Kepin e Tenarit. Një legjendë tjetër thotë se poeti çalaman Tirteu i priu ushtrisë spartane në luftë, jo si strateg, por me këngën e tij që i ndezi flakë zemrat e luftëtarëve. Kënga e sirenave (“Odisea” Kënga XII) ose kënga e gërshetëzave, e nuseve të ujërave në legjendat shqiptare, flasin për forcën e madhe të artit dhe për rolin e tij në shoqërinë njerëzore. Këtu zë fill edhe një nga parimet themelore të teorisë mbi të bukurën.

Te grekët e vjetër muzika ishte e lidhur shumë ngushtë me poezinë, saqë në fillim lirika u quajt melikë, nga fjala melos (këngë). Melika lindi në ishullin Lesbos, një nga vendbanimet e fisit të eolëve. Në këtë ishull lindën, jetuan dhe krijuan dy nga poetët më të shquar të poezisë antike greke – Alkeu dhe Safo.

ALKEU – Ky poet lirik ka jetuar midis shekujve VII dhe VI para K. Poezia e tij u bë pasqyrë e jetës së tij. Luftërat e vazhdueshme kundër tiranëve, problemet e mërgimit nga atdheu, konfliktet sociale gjetën shprehje në vargjet e shkruara me shqetësim dhe me shpërthime të shpejta, plot thirrje nostalgjike për kohët heroike, për të rrokur armët dhe për të luftuar:

“me burrërinë e etërve trima

që dergjen poshtë nën dhe”.

Poeti hedh poshtë edhe paragjykimet mbi botën e përtejme:

“Po si kujtove ti? Kur të kalosh

tej Akerontit që valon me gjire,

kujton se përsëri do ta shikosh

rrezen e pastër t’diellit? Oh, dëgjomë,

shporru asi mendimi, je shumë larg

———————————————

E ndërsa fryn veriu me furi,

ta pimë këtë verë si mjaltë,

ilaç hidhërimesh”.   

Poeti i ka kushtuar një poezi edhe poeteshës së madhe – Safos:

“Flokëmanushaqe, të dlirë

e me një të qeshur të ëmbël si mjalti”.                 

            Vargjet e Alkeut dallohen për forcën shprehëse të tyre, për figurat e thjeshta dhe të këndshme dhe për muzikalitetin e pasurinë ritmike.

Poetesha SAFO është bashkëkohëse e Alkeut. Është poetja më e madhe e antikitetit. Lindi në Eres, por jetoi në qytetin kryesor të ishullit Lesbos, në Mitilinë. Nga atdheu u largua vetëm një herë, për të bërë një udhëtim për në Sicili. Bashkëqytetarët e nderonin shumë, ndaj ia kishin besuar edukimin e vajzave të tyre në shkollën që kishte hapur ajo për mësimin e këngës, valles dhe vjershërimit.

Safoja jetonte në botën e saj femërore, të vogël e të mbyllur, me të gjitha gëzimet e dhembjet e nxënëseve – shoqe të saj. Gëzimi i tyre më i madh ishte të lexonin, të mblidhnin lule e të bënin me to kurora dhe të deheshin me bukurinë e këngës e të valles. Jeta për Safon ishte vetëm dashuri për çdo gjë të bukur e të brishtë. Në një fragment ajo shpreh mendimin se gjëja më e mirë në jetë është të dashurosh atë që është e bukur dhe fisnike. Poetja e urren luksin dhe pasurinë. Ajo çmon shumë virtytet dhe botën shpirtërore, të pasur në ndjenja e mendime:

“Me të vërtetë i bukur është ai njeri,

që është i madh nga shpirti”.                 

            Tema kryesore e poezisë së Safos është dashuria. Me ngrohtësi dhe thjeshtësi të veçantë, poezia zbulon emocionet e saj intime dhe të fshehtat e zemrës së saj. Poetja është e ngashëruar për shkak të dashurisë dhe e fton Afërditën të vijë e ta çlirojë nga mendimet:

“O fronstolisur Afërditë a amshuar,

tinëzarja bijë e atit Zeus,

të lutem me brenga e vuajtje,

o hyjneshë e madhe

mos ma lodh zemrën,

por këtu eja…”   

Në pjesën e dytë të kësaj ode të bukur, poetes i mjafton të shohë fytyrën hyjnore të Afërditës për të gjetur ngushëllim e për të shpresuar se dashuria e humbur do t’i kthehet.

Me gjithë madhështinë e saj si hyjneshë, Afërdita është dhënë me tipare njerëzore që e ndihmojnë poeten të zbulojë pasionin e saj. Poetja e quan atë “shoqe lufte”.

Safoja ka ndjenja të holla poetike, aftësi për t’i kapur dridhjet, rogëtimat më të thella të shpirtit të njeriut, zërat e panumërta të natyrës, të shohë ngjyrat më delikate të saj, për të krijuar me të gjitha këto gjendje psikologjike, harmoni tingujsh e melodish, të rralla në poezinë botërore. Ndjenjat e saj ajo i derdh në vargje me një ngrohtësi dhe thjeshtësi të veçantë.

Nga poezia e saj u ndikuan poetë të mëdhenj, sidomos liriku romak Katuli (Gaius Valerius Catullus, 84-54)por edhepoeti i madh italiani kapërcyellit të mesjetës dhe shekullit të ri, Dante Aligieri (Dante Alighieri, 1265-1321) si dhe poeti italian Françesko Petrarka (Francesko Petrarca, 1304-1374), në sonetet dhe në këngët e tyre.

Përveç lirikës së dashurisë, Safoja u bë e njohur edhe për epitalamët, këngët e dasmës. Këto këngë këndoheshin natën, kur nën dritën e pishtarëve e çonin nusen në shtëpinë e dhëndrit dhe shoqëroheshin me refrenin “Hymen, o hymene”. Me epitalamët e saj, me një pasuri të madhe krahasimesh dhe similitudash të tipit folklorik, Safoja na përkujton këngët popullore të dasmës, të njohura qysh në kohët e Homerit. Në një fragment të shkurtër, me një paralelizëm figurativ, jepet portreti i nuses:

“…seç kuqëlon molla e ëmbël majë degës,

në majë të majës, vjelësit e harruan.

Jo, s’e harruan, por s’e arritën dot”.

Dhëndri krahasohet me një fidan të bukur, të hedhur aq lart saqë çatia duket e ulët për të:

“Më lartë ngrini çatinë,

O hymene…

Si Aresi po kalon dhëndri”.

Me dy tri poezi të plota e me vargje të grimcuara e të shkëputura, Safoja u bë e dashur në të gjitha kohët. Kundërshtari i demokracisë athinase, filozofi grek Platoni (427-347) e ka quajtur Safon “Muza e dhjetë”.

(Termi muzë vjen nga Greqia antike dhe mitologjia greke. Nëntë perëndeshat – nëntë vajzat e Zeusit dhe të perëndeshës së kujtesës, Mnemosimës – kanë qenë mbrojtëse, mbështetëse apo mecenë të shkencës dhe të artit: Talia –mbrojtëse e komedisë, më vonë edhe e tërë jetës skenike, teatrore; Urania – mbrojtëse e astronomisë; Melpomena – mbrojtëse e tragjedisë; Polihimnia – mbrojtëse e poezisë lirike; Erato –mbrojtëse e poezisë, përkatësisht e poezisë epike; Klio – mbrojtëse e historisë; Kaliopa – mbrojtëse e deklamimit, përkatësisht e oratorisë; Euterpa – mbrojtëse e muzikës; dhe Terpsihora – mbrojtëse e vallëzimit).

ANAKREONTI – Ky poet i shquar lirik lindi në qytetin jonian Teos, në bregdetin e Azisë së Vogël, midis shekujve VI dhe V para K. Poezia e këtij këngëtari që jetoi mbi tetëdhjetë vjet, për nga karakteri dhe fryma, eci në gjurmët e poezisë së Safos dhe të Alkeut.

Në vargjet e tij plot muzikalitet, i këndoi dashurisë, verës, u këndoi gostive, valleve e luleve dhe gëzimeve të jetës. Për dallim nga ndjenjat e thella e të trishtuara të Safos, ndjenjat e Anakreontit janë të lehta dhe të sipërfaqshme. Brengat e dashurisë, poeti i kapërcen lehtë, me tone gazmore dhe me një humor të hollë. Nga kjo nënkuptohet se, përpos dashurisë, jeta ka edhe gëzime të tjera. Vajza e bukur  nga Lezbosi ia shanë poetit flokët e thinjur, ndërsa kjo ia përkujton atij pleqërinë. Mbase vajza tanimë dashuron dikë tjetër. Megjithëkëtë, poeti nuk dëshpërohet,  por pikëllohet kur i shkon ndërmend se po i afrohet fundi.

Poetit i pëlqen ta shijojë jetën me të gjitha gëzimet e saj, i pëlqen vera, por jo edhe sa të dehet, i japin kënaqësi vajzat e bukura, por jo edhe sa t’i dridhet zemra. Përkundrazi, ai urdhëron që ta bëjnë gati për t’u ndeshur me perëndinë e dashurisë, Erosin.

Vargjet e Anakreontit shquhen për ndjenjën e sinqertë, për shprehjen e thjeshtë dhe për qartësinë e figurave.

Lirika korale – Ky lloj i lirikës u zhvillua në shekujt VI dhe V para K. në fisin e dorëve. Poezia korale këndohej në mes të popullit dhe në vende publike nga një grup njerëzish. Shprehte ndjenja, mendime dhe dëshira të përbashkëta për tërë qytetin. Në festat popullore fetare, në dasma e funerale, në lojëra olimpike për nder të hyjnive të ndryshëm, koret e dorëve ushtonin nëpër rrugët e qyteteve duke vallëzuar dhe duke kënduar me një stil solemn. Në këto manifestime merrnin pjesë atletë nga të gjitha krahinat e Greqisë. Lojërat shndërroheshin në festa popullore. Në atdheun e tyre fituesit nderoheshin gati si hyjni.

PINDARI – Është përfaqësuesi më i madh i lirikës korale dhe një nga poetët më të mëdhenj të antikitetit. Ka jetuar midis shekujve VI dhe V para K. Lindi në një fshat të Beotisë në një familje me tradita muzikore. Sa poet, aq edhe muzikant, Pindari lëvroi lloje të ndryshme poetike të kënduara në kor, si himne, ode. U shqua sidomos për epiniket e tij. Në to himnizon me tone të ngritura fitoret e atletëve në garat e ndryshme që organizoheshin për nder të hyjnive të caktuar. Duke marrë shkas prej këtyre ngjarjeve, poeti nxjerr përgjithësime me karakter moral mbi virtytin, të vërtetën, ndershmërinë, mirësinë, e veçanërisht mbi bukurinë shpirtërore e fizike të njeriut. Ky ishte mishërim i idealit të kohës dhe shëmbëlltyrë për të tjerët.  

Talenti i këtij poeti shpërthen kur depërton në botën e miteve dhe legjendave, në ato bredhje poetike që tanimë njihen me shprehjen “fluturime pindarike”. Poeti romak Horaci (Quintus Horatius Flaccus, 65-8), i shkolluar në Romë dhe në Athinë, në mënyrë figurative e përfytyron Pindarinsi një përrua të vrullshëmqë rrjedh nga malet, duke rrëmbyer në shtratin e tij gjithçka.

Kuptimi i jetës për Pindarin qëndron në vetëflijimin për qëllime të larta e fisnike:

            “… e mira më e parë janë veprat e hijshme

            ndërsa nami, e dyta.

Kush ndeshi dhe rroku të dyja,

            më të lartën kurorë fito”. 

Heroizmi dhe lavdia janë dy shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihet poezia e Pindarit. Legjenda thotë se kur Aleksandri i Madh e ka rrënuar Tebën, u paska thënë luftëtarëve të tij: “Shtëpinë e poetit mos e digjni!” Pindari dhe Homeri kanë qenë për Lekën e Madh poetët më dashur.

Pindari sheh te poezia zjarrin që ngre peshë zemrat dhe zgjon ndjenja të bukura. Janë me interes mendimet e poetit për rolin e poezisë, të shprehura në vargjet e tij. “Fjala jeton më gjatë se vepra dhe po qe se del nga thellësia e zemrës, e bën atë të pavdekshme. Edhe veprat më të bukura mbeten të mbuluara nga errësira po qe se nuk këndohen në himne”.

Me Pindarin mbyllet periudha e shkëlqyer e poezisë që lulëzoi me aq bukuri në fiset eole dhe dore. Tanimë kushtet e reja shoqërore kërkonin një formë të re të shprehjes artistike dhe kjo ishte poezia dramatike. Ajo e filloi rrugën e zhvillimit të saj në Athinë, para mesit të shekullit V para K.    

*   *   *

“ÇËSHTJA HOMERIKE” – Për Homerin (shekulli VIII para K.) asgjësdihet me saktësi. E konsiderojnë autor të epëve “Iliada” dhe “Odisea. Epoka antike e konsideronte personalitet historik. Të parët që u morën me “çështjen homerike” ishin gramatikanët aleksandrinë.

Çështjen homerike në kuptimin e sotëm të fjalës, e shtroi filologu klasik gjerman F. A. Wolf në veprën “Mbi Homerin” (Prolegomena ad Homerum, 1795). Me fjalë t tjera, Vulfi shprehu dilemë radikale për ekzistimin e Homerit. Ai thotë: “Homerum numquam fuisse suscipio – Dyshoj që Homeri të ketë ekzistuar ndonjëherë). Teza e tij është se poezia homerike është poezi gojore, shkrimi i së cilës ka lindur jo më parë se në epokën klasike. Teza e Vulfit shënon fillimin e shkollës analitike në homerologji. Përfaqësuesit e kësaj shkolle thonë se teksti i “Iliadës” dhe i “Odisesë” ka lindur me bashkimin artizanal të këngëve të vogla. Ata thonë po ashtu se teksti i epëve mund të ketë lindur nga një bërthamë e vogël e cila, me kalimin e kohës, është zgjeruar me shtesa të tjera. Studiuesit klasikë gjermanë Fr. A Wolf dhe K. Lachmann epet popullore të mëdha i kanë sqaruar me anë të teorisë së këngëve. Së pari kanë lindur këngë të veçanta, të cilat këngëtarët apo rapsodët i kanë lidhur dhe kësisoj janë krijuar epet.

Përballë tyre qëndrojnë unionistët të cilët pohonin se që të dy epet, “Iliada” dhe “Odisea” artistikisht janë vepra unike të cilat i krijoi poeti gjenial – Homeri, duke përdorur lëndën e vjetër në të cilën rrëfime të caktuara, tanimë kanë qenë të përpunuara si tërësi të rrumbullakuara.

Në shekullin XX, një teori të veçantë për lindjen e epëve të Homerit paraqitën edhe studiuesit amerikanë M. Parry dhe A. Lord, të cilët Homerin dhe poezinë epike gojore të popujve ballkanikë e studiuan në mënyrë krahasimtare.

Në këtë mes duhet theksuar romanin “Dosja H”Ismail Kadaresë ku flitet për dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton, të cilët nisen për në malet e humbura të Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë mundësinë e ekzistencës së një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis poezisë homerike dhe këngëve heroike të kënduara nga malësorët shqiptarë me lahutat e tyre       

Xhelal Zejneli