Nga Besart Kadia
Në fillim të janarit shumica e investitorëve ndërkombëtarë nuk reaguan ndaj Koronavirusit duke mos parashikuar dot në kohë sesi do të shpërndahej ky virus në zona të tjera të botës. Por pas konfirmimit të shpërndarjes së virusit edhe në Europë dhe Lindjen e Mesme, shenjat ishin të qarta se ky virus do të kishte impakt në ekonominë botërore. Menjëherë tregjet financiare reaguan gjatë javës së shkuar duke zhdukur mbi 6 trilion dollarë vlerë në letër tek bursat ndërkombëatre. E njëjta sjellje ndodhi në bursën e Frankfurtit, të Londrës, të Milanos, të Parisit e të Nju Jorkut. Në të njëjtën datë, 24 shkurt 2020, investitorët filluan të shesin në masë aksione në bursë duke blerë më shumë obligacione shtetërore si ato 10-vjeçare të qeverisë gjermane të cilat sot kanë yield -0.69%. Obligacionet e qeverisë amerikane kanë sot yield -1% për herë të parë në histori, apo blerja e aseteve të tjera të sigurta si floriri i cili arriti $1.611 per ounce, më e larta në shtatë vitet e fundit, ndërkohë që metale të tjera si platini dhe argjendi u rritën 1.1% dhe 2.3% brenda ditës.
Por duke kaluar nga teoria e “sjelljes financiare” të tregjeve dhe të mentalitetit të tufës, ku të gjithë sillen në të njëjtën mënyrë në të njëjtën kohë, ekonomia botërore duket se nuk do të vuajë vetëm me ngjryën e kuqe të bursës por do të preket dhe në prodhim duke hyrë në recension. Shqetësimi kryesor është ekonomia reale ku rënia e kërkesës së konsumatorëve nga njëra anë dhe goditja në prodhim nga ana tjetër (oferta) do të çojnë në pasoja ekonomike të ngjashme me krizën financiare të vitit 2008. Por dallimi me çdo krizë të mëparshme ekonomike është se kjo është një goditje e ekonomisë reale e cila nuk është e kombinuar me problematika të tjera thelbësore të ekonomisë botërore.
Një recension që krijohet nga “politikat” e Bankës Qëndrore, kur normat janë të larta krahasuar me nevojat e biznesit do të ishte shqetësuese. Por sot normat e interesit janë ulur mjaftushëm nga të gjitha Bankat Qëndrore në ekonomitë e zhvilluara apo dhe në zhvillim. Gabimi i politikave të Bankës Qëndore ndikon direkt në ekonomi, sic ishte rasti i Depresionit të Madh apo të krizës së vitit 2008. Duke patur këto raste në mendje, Rezerva Federale reagoi direkt me uljen e normës së interesit me 0.5% në datën 3 mars për të lehtësuar kredimarrjen në ekonomi, duke patur parasysh impaktin e pritshëm në rënie të konsumit.
Pavarsisht uljes së normës së interesit dhe lehtësimit të kostos së biznesit pasojat në ndërveprime të biznesit me konsumatorët po ndihen. Mbi 110 miliardë dollarë do të humbasin kompanitë e udhëtimit me avion nga kriza e krijuar nga Koronavirusi. Air Portugal anuloi më shumë se 1000 udhëtime për shkak të mungesës së udhëtarëve ndërkohë që Lufthansa anuloi më shumë se 7000 fluturime sot dhe parkoi më shumë se 150 avionë. Këto masa nuk u ndërmorrën as në kulmin e krizës financiare. Mungesa e udhëtarëve, turistëve dhe e shkembimit tregtar po fillon të ndihet ndjeshëm ku një kompani avionësh falimentoi në Angli… Masat ndihen kudo dhe janë të natyrave të ndryshme.
Si ndikon Koronavirusi në ekonomi?
Goditje jo e drejtpërdrejtë në pasurinë e njerëzve. Teksa vlera e bursës bie anë e mbanë botës shumë njerëz që kanë ose pensionet ose kanë investuar direkt në bursë do të ndihen më të varfër pavarsisht se të ardhurat i kanë të njëjta. Kjo ndjesi bën që ata të tkurrin konsumin e tyre duke ndikuar direkte në ekonomi. Para dy javësh, Bank of Amerika shkruante se këto janë tregjet më të qeta që kemi parë në 40 vitet e fundit… më pas ndodhi përhapja e Koronavirusit në Europë.
Goditje e drejtpërdrejtë në besimin e konsumatorëve. Teksa vlera e bursës financiare është më e shpejtë për të reaguar e për tu rikthyer në vlerën e saj të mërparshme qyetetarët janë më të “ç’organizuar” e për rrjedhojë frika nga virusi i bën të qëndrojnë në shtëpi, të mos konsumojnë në restorante, të mos marrin shërbime etj. duke zgjatur impaktin në ekonomi e duke u bërë pesimit në periudhën afatgjatë. Adidas për shembull tha se shitjet ranë me 85% në Kinë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që çmimi i naftës ka arritur në 50$ për fuci duke rënë me 4.2% prej rënies së kërkesës në Kinë.
Goditje në ofertën globale. Shumë kompani në Kinë janë mbyllur e shumë prej tyre nuk kanë mjaftueshëm cash për të përballuar shpenzimet dhe kjo bën që shumë prej partnerëve të tyre në Europë dhe Amerikë të mos kenë në kohë materialet që i duhen për të prodhuar… Teksa firmat nuk munden të prodhojnë, ato ulin kostot duke hequr njerëzit nga puna. Por sa më shumë të kenë probleme me prodhimin dhe sa më shumë njerëz të hiqen nga puna, aq më shumë firma do të vazhdojnë të mbyllen pasi fuqia blerëse në ekonomi bie. Në vitin 2002-03 kur ndodhi SARS, Kina ishte 1 /20 e ekonomisë botërore sot është sa 20% e saj. Shumë shtete si të mëdha apo të vogla ndikohen drejtëpërdrejtë nga ekonomia kineze. Sic thotë dhe shprehja e the Economist: “Zoti krijoi botën. Gjitchka tjetër u bë në Kinë.” Apple thotë se fitimet e saj pritet të jenë të ulta për shkak të mos marrjes në kohë të pjesëve nga Kina e shumë kompani të tjera kanë shprehur të njëjtin problem.
Koronovirusi po prek ekonominë botërore dhe gjasat janë që do të prekë indirekt dhe Shqipërinë si në eksportet e mallrave, ashtu edhe drejtpërdrejtë në uljen e numrit të turistëve. Këto janë kohëra të vështira dhe skenarët deri tani nuk duken të mirë. Edhe sikur ky të jetë një “trill mediatik” siç mendojnë disa, sërish efekti i saj është real. Ndaj dhe për këtë vit Shqipëria do të duhet të rishikojë buxhetin e saj si dhe politikat ekonomike për të marrë parasysh efektet negative të Koronavirusit.